HomeAktualitetDosja X

SKEDA/ GJKKO kalon dosjen për gjykim: Ja 6 episodet e korrupsionit dhe pastrimit të parave si të dyshuara të hetuara nga SPAK në dosjen Meta-Kryemadhi

SKEDA/ GJKKO kalon dosjen për gjykim:  Ja 6 episodet e korrupsionit dhe pastrimit të parave  si të dyshuara të hetuara  nga SPAK në dosjen Meta-Kryemadhi

SPAK thotë se janë të paktën 6 episode, mbi të cilat ka ngritur dyshime për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë Ilir Metën, Monika Kryemadhin, atë të korrupsionit për ish-kreun e AKEP, Pirro Xhixho (babai i deputetes së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho) dhe pastrimit të parave ndaj Ema Çokut, mikeshë e Monika Kryemadhit.

Episodi i parë lidhet me procedurat e kontratës së shërbimit CEZ-DIA, e konsideruar gjithmonë si një prej aferave më të mëdha korruptive. SPAK thotë se nga hetimet ka rezultuar se Ilir Meta, si ish-ministër i Energjetikës, përdori pushtetin për lidhjen e kontratës për borxhet e CEZ, ku DIA me administrator Kastriot Ismailin, fitoi 6.5 milionë euro edhe pse nuk përmbushte kriteret ligjore. Në këmbim, SPAK thotë se Meta ka kërkuar dhe ka marrë shuma të konsiderueshme parash kur si ministër duhet edhe të monitoronte zbatimin e kësaj kontrate.

Episodi i dytë në ngarkim të Metës dhe Kryemadhit shkon në vitin 2014, kur sipas SPAK të dy kanë ndërhyrë në institucione shtetërore dhe kompani celulare që një një firmë e huaj të futej në tregun e fibrave optike për shërbimin e internetit. Kjo kontratë është lidhur dhe Meta e Kryemadhi – thotë Spak – kanë marrë pjesën e tyre të fitimit dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i kompanisë, ndërsa të gjitha shpenzimet që kanë bërë me këto karta nuk i kanë deklaruar. Për këtë kontratë është përdorur Pirro Xhixho, në atë kohë kreu i AKEP, i cili me porosi të Metës sipas hetuesve ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizimin e marrëveshjes, madje ka lejuar firmën private të ushtrojë aktivitetin në shkelje të ligjit.

Episodi i tretë i SPAK zbardh marrëdhënien korruptive të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit me një biznesmen në Tiranë nga i cili përfituan përkohësisht një vilë si shpërblim për influencën e paligjshme që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë të emëruar nga LSI, në interes të aktiviteteve ekonomike të biznesmenit në fjalë. Monika Kryemadhi ka marrë përsipër edhe ka çuar deri në fund edhe ndryshimin e një ligji me porosi të këtij biznesmeni.

Episodi i katërt, kur në vitet 2016-2017, Ilir Meta, si kryetar i LSI, lidhi kontrata lobimi me 2 kompani amerikane dhe vetëm një pjesë e parave është bërë përmes llogarive të LSI ndërsa shifra 463 mijë dollarë jo. Madje këto para as nuk janë pasqyruar në bilancet e shpenzimeve në KQZ.

Episodi i pestë që ngre dyshimet për pastrim parash nga çifti Meta-Kryemadhi SPAK lidhet me blerjen e një apartamenti 310 mijë euro në zonën e ish-bllokut në Tiranë të justifikuar me një kredi të marrë nga nëna e Monikës, Fatime Kryemadhi. Por SPAK thotë se shuma e plotë 310 mijë euro u derdh cash nga vjehrra e Metës, dhe kredia u përdor si mbulesë për të pastruar paratë që vinin nga aktiviteti i paligjshëm i Metës e Kryemadhit.

Episodi i gjashtë, evidentohen shpenzimet e padeklaruara mjekësore të Meta-Kryemadhit gjatë viteve 2013-2019, në total 106 mijë euro, 86 mijë prej të cilave paguar në cash.

Sa i përket mosdeklarimit të pasurisë, Ilir Meta ka deklaruar vazhdimisht se nuk ka lidhje me shpenzimet që ka bërë Monika Kryemadhi kur ata kanë qenë të martuar. Por kjo gjë nuk e ka shfajësuar atë nga këto shpenzime të cilat duhet të ishin deklaruar nga çifti në atë kohë Meta-Kryemadhi.