Mediat i kanë lexuar bëmat e Jeffrey Epsteinit me syzet e gabuara, shkruan La Repubblica. Ndërsa dosjet e hetimit po deklasifikohen nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, bëhet gjithnjë e më e qartë se cili është morali i kësaj përralle të zezë. Jo vetëm një Decameron bashkëkohor i turbullt, ku miliarderë të mërzitur dhe burra shteti të ndezur shkarkojnë manitë e tyre të sëmura erotike falë një rrjeti të tmerrshëm prostitucioni, ngritur nga një tutor i pasur dhe nga bleta e tij mbretëreshë
Por edhe një “Romanzo Capitale” i errët, ku seksi i devijuar bëhet boshti i të gjitha pushteteve dhe i të gjitha shantazheve, ku politika ndërthuret me biznesin dhe autokracia globale hibridizohet me oligarkinë digjitale. Një nga fijet më të papritura të dosjeve Epstein të çon drejtpërdrejt te kriptomonedhat dhe te Bitcoini, një pasion i vërtetë që financieri kriminel nga Brooklyn e kultivoi për një kohë të gjatë përpara arrestimit dhe më pas vetëvrasjes në burg.
Planeti Kripto
Nga masa gjigante e akteve gjyqësore del se Epstein ishte aktiv në planetin kripto që 15 vjet më parë dhe ishte plotësisht i integruar në qarkun e madh të elitës teknokapitaliste që po farkëtonte ekonominë e re në shkallë globale. Në vitin 2013, një këshilltar shkencor i Bill Gates-it dhe ish-drejtues i MIT Media Lab, Boris Nikolic, i kishte dërguar me email një analizë shumë të detajuar mbi Bitcoinin. Në vitin 2014, një drejtues i lartë i Blockstream, Austin Hill, e kishte përditësuar mbi risitë më të fundit të atij tregu në zgjerim, pra mbi tensionet në rritje mes investitorëve rreth dy projekteve konkurruese Ripple dhe Stellar. Në vitin 2016, vetë Epsteini u kishte sugjeruar madje dy bashkëbiseduesve sauditë krijimin e një monedhe të re për Lindjen e Mesme. Sipas Crypto.news, monedha e re digjitale (e frymëzuar nga Bitcoini) do të duhej të zhvillonte një sistem pagese në përputhje me Sheriatin, i destinuar për përdorim të brendshëm të komuniteteve myslimane, me një version në letër ku do të riprodhohej në arabisht shkrimi që figuron në dollarë: In God We Trust. Projekti ishte në një fazë aq të avancuar sa që Epsteini, në një email tjetër, kishte zbuluar se e kishte diskutuar me “persona pas Bitcoinit”. Dhe po në vitin 2016, menjëherë pas Brexit, Epstein u përpoq të thurte fijet e revoltës populiste kundër teknokracive europiane bashkë me Peter Thiel-in, i cili nëntë vjet më vonë, me rizgjedhjen e Trump-it në Shtëpinë e Bardhë, do të bëhej ideologu i tij kryesor (si edhe ortak biznesi në Pentagon): “Kthim te tribalizmi, kundërshtim i globalizimit, aleanca të reja të pabesueshme…”, i shkruante ai me email.
Në vitin 2018 erdhi hapi i radhës: Epsteini kërkoi këshilla për taksimin e kriptovalutave, për transaksionet e tokenëve dhe për rregullat e shpërndarjes nga i pashmangshmi Steve Bannon, princi i errësirës trumpiane dhe patron i Internacionales Sovraniste, me të cilën ka mbajtur “në krahë” Matteo Salvinin dhe të gjitha të djathtat ekstreme europiane. Arrijmë në vitin 2019: Epsteini mori një tjetër email nga konsulenti Richard Kahn, i cili përshkruante “kundërshtimin masiv rreth Coinbase” dhe blerjen e saj të kompanisë së analizës blockchain Neutrino. Siç shkruan Mohammad Shahid në Yahoo Finance, dokumentet sugjerojnë se Epsteini e ndiqte nga afër ngjitjen e kriptovalutave, me një vëmendje të veçantë ndaj rregullimit. Në të njëjtën periudhë, Epsteini kishte dhuruar 850 mijë dollarë për Massachusetts Institute of Technology, për të mbështetur monedhën e tij digjitale DCI, me të cilën në një moment u paguan pagat e zhvilluesve të Bitcoin Core si Gavin Andresen dhe Wladimir Van der Laan: Epsteini e vizitoi MIT-in plot nëntë herë, në mënyrë private, por identiteti i tij u mbajt gjithmonë konfidencial. Me pak fjalë, del në pah një rrjet kapilar interesash dhe biznesesh, marrëdhëniesh dhe lidhjesh, nga i cili vetëm sot mund të kuptohet plotësisht filli përçues, që edhe një herë është kompleksi ushtarako-industrial-digjital.
Sot, pasi i ka lejuar “The Donald”-it dhe familjes së tij të fitojnë disa miliarda dollarë, Bitcoini ndodhet në mes të rrugës. Që nga tetori, nga kulmi prej 125 mijë dollarësh, ka humbur gati 40% dhe sot kuotohet rreth 76 mijë. Manjati i Mar-a-Lago-s dëshiron t’i shndërrojë kriptot në ar digjital, edhe pse për momentin ari i verdhë, ai i vërteti, kryeson renditjen e aseteve të sigurta. Por gara është ende e gjatë. Dhe në çdo rast, bën përshtypje të zbulosh se ai që vuri bast i pari mbi Bitcoi-in, më shumë se një dekadë më parë, ishte pikërisht miku pedofil i sherifit të Uashingtonit, bashkë me zotërit e botës që frekuentonin Sodoma e Gomorran e tij të mjerë.

