Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se besonte se Partia Socialiste do refuzonte kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.
Komentet Spahiu i bëri gjatë fjalës së tij në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, ku tha se SPAK duhet të japë më shumë detaje mbi pretendimin se ‘të fortë’ që qëndrojnë pas Ballukut kanë bërë presion për çështjen.
Sipas Spahiut, nëse këto presione do të ishin të faktuara nga SPAK, atëherë do të kishte urdhër-arresti për atë ‘të fort’ që ka ushtruar presion.
Spahiu shtoi gjithashtu se çështja ‘Balluku’ është shumë më e thellë se një përplasje e thjeshtë me SPAK. Juristi tha se në këtë çështje ka shumë interesa ekonomike e diplomatike që mund të kenë ndikuar.
Kjo pasi sipas Spahiut, ministria që ajo drejtonte lidhej me interesa të shumta të korporatave të mëdha botërore. Ai shtoi se në këtë histori janë futur në mes shumë faktorë ndërkombëtarë.
“Mendoj që ky rast penal është një lloj dhurate për çdo lloj opozite. Çdo parti politike e cila është në opozitë, do të dëshironte që të kishte një rast të këtyre përmasave në qeveri. Sigurisht që PD dëshiron ta përdorë që të marrë maksimumin e përfitimit politik nga një skandal qeveritar dhe nga një përplasje e qeverisë me SPAK. Po ta vëmë re ka edhe një ndryshim të qasjes së opozitës në raport me Prokurorinë speciale.
Nëse deri dje i bënte presion çdo ditë të hëne, e konsideronte bandë, organizatë kriminale, Dumanin e quante Altin Troplini, tani ka një qasje, ka marrë në mbrojtje SPAK dhe thotë se qeveria po i bëjnë presion. Nga ana tjetër ka një ndryshim rrokade të qeverisë. Rama pas 13 vitesh është ndërgjegjësuar se kulaçi nuk po funksiononte me SPAK dhe tenton të ndjekë strategjinë e Berishës.
Rama i ka thirrur mendjes dhe thotë ‘ndoshta është më mirë të sillem si Berisha, t’i bëj presion Prokurorisë, që të kem të njëjtin rezultat’. Pra si opozita që nuk ka asnjë në paraburgim. Rama mendon se mund t’i funksionojë edhe atij. Por a do e ketë frikë SPAK Ramën aq sa ka Berishën? Kjo mbetet për t’u parë.
Nga ana tjetër është shumë e vështirë të ndryshosh diskurs në një moment kur mund të kesh konflikt interesi. E dyta është shumë e vështirë të ndryshosh diskurs politik duke dalë nga natyra dhe karakteri personal që ke. E treta është në një moment që mund të acarojë edhe marrëdhëniet me ndërkombëtarët. Mendoj se më shumë se problem i drejtpërdrejtë me SPAK, kjo është një histori ku janë futur në mes shumë faktorë ndërkombëtarë.
Për shkak sepse mos të harrojmë një gjë, marrëdhëniet diplomatike bazohen në marrëdhënie interesash ekonomike. Dhe kjo ka qenë ministria e drejtpërdrejtë ku shumë korporata britanike, amerikane, turke, etj, kanë pretenduar që të kenë në momente të caktuara investime, koncesione, tendera, etj dhe është krejt e arsyeshme që të kryqëzohen interesat ekonomike me ato diplomatike. Shpesh ajo që shohim ne është vetëm 10% e arsyeve të vërteta përse ndodhin.
Mendoj që konfliktet politike, diplomatike mes qeverisë shqiptare dhe interesave ekonomike të korporatave dhe investitorëve të huaj kanë filluar kohë më parë që lidhen me Aeroportin e vlorës, me Portin e Durrësit, që lidhen me shumë koncesione të përmasave të mëdha. Këtu nuk them se kush ka të drejtë.
Unë them që kanë pasur interesa në momente të caktuara dhe që mund të jenë gjykuar që janë konsideruar procese të pabarabarta. Dhe për këtë arsye ka marrë kaq përmasa në raport me ministrat e tjerë. Nuk është njësoj si çështja Beqaj, çështja e Ministrisë së Infrastrukturës.
Kisha një ndërhyrje esenciale. 2 janë momentet që Prokuroria sipas raportit pretendohet se argumenton faktin pse kërkon arrest për Ballukun. E para pretendohet se vartësit e Ballukut kanë vonuar kërkesat për disa dokumente apo prova për t’ja dhënë Prokurorisë Speciale. Dhe e dyta, nga një bisedë telefonike, një person i tretë pretendohet se është kërcënuar nga të fortë, por edhe nga persona të tjerë dhe ndihet i frikësuar. Përsa i përket pjesës së parë, vartësit, bie pretendimi që vartësit… sepse Balluku është PS. Me Ballukun apo pa Ballukun, ata drejtorët nëse kanë urdhër partie, dokumentet do i vonojnë.
Vijmë te momenti i dytë. Nëse është përdorur presion me të fortë dhe dhunë, masa e sigurisë duhet të ndryshojë. Por përderisa nuk janë dhënë detaje, ka gjithmonë një por mbrapa. Dhe por mbrapa është kjo, pse personi që ka bërë presion nuk është arrestuar? Thjeshtë telefonata e një të forti interpretohet që është presion? Sepse personi që ka telefonuar mund t’i ketë thënë mos merr avokat mondin por merr Romeon. SPAK a ka nxjerrë një urdhër arresti për personat që ushtrojnë presion për këtë çështje? Fakti që nuk është vepruar, kanë një dyshim që e kanë të vështirë ta përcaktojnë që është vepër penale dhe thjeshtë është çështje interpretimi që indirekt mund të quhet presion. Prandaj mendoj se socialistët nuk do ia heqin imunitetin”, përfundoi Spahiu.

