Pamje e të gjitha mediave e treguan qartë se vilës 31, ku jetojnë artistë nga e gjithë bota, iu vu flaka me bomba molotovë vetëm pak metra pasi aty kaloi Sali Berisha, nën shoqërinë e Flamur Nokës, Gazment Bardhit dhe të tjerëve drejtues të PD.
Ashtu siç ndodhi në të gjithë xhiron e tij traumatizuese për Tiranën mbrëmjen e së shtunës, sapo Berisha kalonte një institucion apo një rrugë grupi i zjarrit pas tij vërshonte molotovët. Si një lloj sinjali, që zëvendësoi valëvitjen e flamurit në protestat e kaluara, që nënkuptonte nisjen e sulmit ndaj Kryeministrisë.
Belind Këlliçi, Klevis Balliu dhe Gjin Gjoni u panë edhe këtë herë mes grupit të të maskuarve, i armatosur me molotovë, që në fillim të protestës që ndjek Berishën nga selia blu deri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
LEXO EDHE:
Sulmet me molotovë në vilën e Enver Hoxhës, Delegacioni i BE dënon protestën e dhunshme të PD: U rrezikuan jetë njerëzish!
Por pavarësisht se përgjegjësit dalin me zë e figurë, edhe në këtë protestë policia e shtetit arrestoi vetëm 4 militantë, dhe referoi në Prokurorinë e Posaçme vetëm një drejtues të PD, Klevis Balliun, me argumentin se ai ka firmosur njoftimin në polici. Vetëm 10 ishte numri i personave u shoqëruan në komisariat, pasi dyshohen se morën pjesë në akte dhune, ndërsa policia vetë njoftoi se dëme të mëdha materiale janë bërë.
Përveç jetës së njerëzve të rrezikuar seriozisht në disa raste apo pronës publike të dëmtuar rëndë, edhe prona private nuk shpëtoi, si në këtë rastin e makinave të parkuara të qytetarëve apo bizneseve që edhe ato u përballën me molotovë.
Por sërish përveç Klevis Balliut, asnjë masë apo akuzë për të gjithë drejtuesit e tjetër të PD, duke filluar nga Sali Berisha, prezent në çdo hap të një sulmi politik që mund të shkaktonte vrasje.
Policia thotë se ka administruar video dhe po shikon për përgjegjësit e tjerë, por pamjet e Berishës, Nokës, Këlliçit dhe të tjerëve janë prej javësh në sytë e të gjithëve. Pra edhe këtë herë në thelb një tjetër krim që mbetet pa përgjegjës realë, urdhëruesit dhe organizatorët kryesorë të tij
Siç duket kupa e mbushur ka bërë që këtë herë molotovët e Berishës, në vend që të ‘bien’ mbi vetë atë kanë ‘djegur’ drejtuesit më të lartë të policisë së shtetit. Burime për Report Tv konfirmuan se për shkak të mosgarantimit të rendit dhe vënies në rrezik të jetës së njerëzve, janë shkarkuar Drejtori i Përgjithshëm i policisë së Shtetit, Ilir Proda dhe kreu i bluve të Tiranës, Elton Alushi. Kryepolic deri në emërimin e një tjetri është komanduar Sokol Bizhga, i cili mbahet mend edhe për një kërcënim që mori nga Flamur Noka në një tjetër protestë 26 nëntorin e vitit 2024.
Kujtojmë se protesta e së shtunës ishte konceptuar në formën e një shëtitjeje nëpër rrugët e kryeqytetit nga ana e opozitës, që shkarkoi arsenalin e mbetur të bombave molotov dhe fishekzjarreve, në rrugët kryesore të Tiranës, teksa njerëzit shijonin fundjavën, zero të interesuar në atë që ndodhte në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Sulmi ndaj residencës së artistëve ishte epilogu i sorrolatjeve prej tre orësh të militantëve, që pas mbledhjes përpara selisë së kryeministrisë, u ndalën edhe para zyrave të Drejtorisë së Përgjithshme të policisë. Teksa marshonin flaka i vinte nga pas.

