HomeBota

Sulmet nga SHBA e Izraeli, Irani e konfirmon: Khamenei vdiq! Vritet ish-presidenti iranian, bombardime nga Dubai në Abu Dhabi

Sulmet nga SHBA e Izraeli, Irani e konfirmon: Khamenei vdiq! Vritet ish-presidenti iranian, bombardime nga Dubai në Abu Dhabi

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, u vra dje nga sulmet izraelite, pas goditjeve të SHBA-ve ndaj Iranit.

Irani ka shpallur një periudhë zie prej 40 ditësh, e ndjekur nga 7 ditë feste, pas vdekjes në moshën 86-vjeçare të Udhëheqësit Suprem të Republikës Islamike, Ali Khamenei, në pushtet që prej vitit 1989. “Me martirizimin e Udhëheqësit Suprem, rruga dhe misioni i tij nuk do të humbasin dhe as do të harrohen; përkundrazi, do të çohen përpara me më shumë forcë dhe zell”, deklaroi një prezantues i televizionit shtetëror.

Sulmet iraniane ‘kanë paralizuar’ Aeroportin e Dubait, pikën ajrore më të madhe lidhëse. Qindra fluturime janë anuluar duke bërë që çdo minutë të kushtojë miliarda dollarë.

Izraeli njoftoi sot se kishte nisur një “valë të gjerë sulmesh” në “zemrën e Teheranit”, ndërsa Irani është hakmarrë duke vazhduar të sulmojë bazat ushtarake izraelite dhe amerikane në të gjithë Lindjen e Mesme. Trump thotë se do të përdorë “fuqi që nuk është parë kurrë më parë” si kundërpërgjigje.

Më vonë, shpërthime të reja u raportuan në Teheran pranë kompleksit ku ndodhet radioja dhe televizioni shtetëror iranian.

Zyrtarët thonë se Irani ka lëshuar më shumë se 25 valë raketash dhe dronësh, dhe shpërthime janë dëgjuar tani në Izrael, Oman, Bahrein, Katar, Kuvajt dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Pa një udhëheqës, Ayatollah Alireza Arafi është emëruar si anëtari i tretë dhe i fundit i Këshillit udhëheqës të Iranit, i cili ushtron rolin e udhëheqësit suprem deri sa të zgjidhet një pasues.

Deri më tani është konfirmuar vdekja e ish-presidentit Mahmoud Ahmadinejad, shefit të stafit të forcave të armatosura të vendit, Abdolrahim Mousavi, komandantit të Gardës Revolucionare, Gjeneralit Mohammad Pakpour, vajzës, dhëndrit dhe nipit të Khameneit dhe rreth 40 zyrtarëve të tjerë.

Të paktën 150 anije me naftë e gaz kanë ngecur në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike globale për naftën, e cila kontrollohet nga Irani.

Në disa qytete të Iranit ka shpërthyer festa, në të tjera rrugët janë mbushur me vajtues. Një banor tha se “bota është bërë një vend më i mirë” pas vdekjes së Khameneit.

Vdekja e Khameneit ka shkaktuar protesta në Pakistan, ku të paktën nëntë persona janë vrarë pranë konsullatës amerikane. Hamasi, Hezbollahu, Iraku e Rusia kanë shprehur ngushëllimet e tyre duke dënuar vrasjen e Khameneit.

Sot në orën 17:00 do të mbahet Këshilli i Jashtëzakonshëm për Punët e Jashtme, teksa Kaja Kallas tha se ky është “moment vendimtar për Iranin”, ndërsa e ardhmja është “e pasigurt”.

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike do të mbajë të hënën një mbledhje të jashtëzakonshme lidhur me situatën. Të hënën, në Vjenë do të nisë gjithashtu sesioni periodik i Këshillit të Guvernatorëve të Agjencisë Atomike të Kombeve të Bashkuara.