HomeAktualitetBota

Takimi inagurues i Bordit të Paqes së Trump, 5 mld dollarë të premtuara për rindërtimin e Gazës! Rama në Uashington për të firmosur marrëveshjen e anëtarësimit

Takimi inagurues i Bordit të Paqes së Trump, 5 mld dollarë të premtuara për rindërtimin e Gazës! Rama në Uashington për të firmosur marrëveshjen e anëtarësimit

Instituti amerikan i Paqes në Uashington do të mirëpresë sot takimin e parë të Bordit të Paqes të krijuar nga presidenti Donald Trump. Pjesë e takimit do të jetë edhe Shqipëria, e përfaqësuar nga kryeministri Rama.

Rama do të firmosë dhe marrëveshjen për anëtarësimin e Shqipërisë në organizatë me statusin vend anëtar themelues.

Bordi, i krijuar për rindërtimin dhe përpjekjet humanitare në Gaza, do të njihet edhe me njoftimin për 5 miliardë dollarët që shtetet anëtare kanë ofruar për këtë qëllim.

Rindërtimi i Gazës pritet të kushtojë 70 miliardë dollarë, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, Bankës Botërore dhe Bashkimit Europian, pas më shumë se dy vitesh lufte.

Nuk dihet nëse vendi ynë ka kontribuar me ndonjë shumë dhe as shifra lidhur me vendet e tjera, pasi do të jetë vetë Trump që do t’i shpallë, sipas postimit të tij në Truth Social. Deri më tani, dihet që në këtë fazë, Shqipëria nuk ka detyrime financiare.

Gjithashtu, shtetet anëtare janë angazhuar të dërgojnë trupa për një forcë ndërkombëtare stabilizimi në Gaza. Trump thotë se Bordi do të kthehet në “organin ndërkombëtar më me ndikim në histori”.

“Do t’i kemi të gjithë liderët botërorë,” tha ai.

Megjithatë, mbetet e paqartë se cilët liderë, apo sa prej tyre, do të marrin pjesë në mbledhjen inaguruese.

Nga rreth 60 ftesat që ai u ka dërguar krerëve të shteteve për të shërbyer në bord, rreth më shumë se 20 vende kanë rënë dakord të bashkohen. Midis tyre përfshihen disa që janë shumë larg zhvillimeve në Lindjen e Mesme, por që gëzojnë favorin e Trumpit, si presidenti i Argjentinës Javier Milei dhe kryeministri hungarez Viktor Orbán.

Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Europian, e ka refuzuar ftesën, ndërsa liderët e aleatëve kyç të SHBA-së, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë dhe Francën, kanë thënë gjithashtu se nuk do t’i bashkohen Bordit të Paqes. Trumpi e tërhoqi ftesën për Mark Carneyn e Kanadasë pas një fjalimi kritik nga kryeministri kanadez në Forumin Ekonomik Botëror në Davos muajin e kaluar. Italia do të marrë pjesë si vëzhguese.

Nisma e Shtëpisë së Bardhë mori një tjetër goditje këtë javë, pasi Papa Leone XIV njoftoi se Vatikani nuk do t’i bashkohej bordit, për të cilin kritikët kanë thënë se është një përpjekje për të uzurpuar autoritetin nga organizata të tjera të mëdha ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, dhe mund t’i lejojë Trump-it të mbetet kryetar edhe pasi të përfundojë presidenca e tij.

Faza e parë e planit të Trump për Gazën përfshinte një armëpushim mes Hamasit dhe Izraelit, i cili është respektuar pjesërisht, një rritje të ndihmës humanitare pavarësisht kufizimeve të vazhdueshme izraelite, si dhe lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe mijëra palestinezëve në burgjet izraelite.

Sipas rezolutës së Këshillit të Sigurisë së OKB-së që miratoi planin me 20 pika të Trumpit, kontributet me trupa nga shtetet anëtare të bordit do të përbëjnë Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit. Misioni i saj, i mandatuar nga OKB-ja deri në fund të vitit 2027, është të ndihmojë në sigurimin e zonave kufitare dhe të garantojë që Gaza të çmilitarizohet, “përfshirë shkatërrimin dhe parandalimin e rindërtimit të infrastrukturës ushtarake, terroriste dhe sulmuese, si dhe çaktivizimin e përhershëm të armëve nga grupet e armatosura jo-shtetërore”, si dhe të “mbrojë civilët … të trajnojë dhe të ofrojë mbështetje për forcat e verifikuara të policisë palestineze … dhe të sigurojë korridore humanitare”.

Forca e plotë në qershor pritet të arrijë rreth 8,000 trupa, shifër kjo më e lartë se disa vlerësime të mëparshme të spekuluara nga media. Forcës do t’i bashkohen edhe Kosova, Shqipëria e Greqia.

Çështja e çarmatimit dhe “çaktivizimit” të Hamasit si forcë ushtarake ka qenë një pengesë për përparimin pothuajse në çdo aspekt tjetër të fazës së dytë të planit, duke u dhënë një argument Izraelit dhe të tjerëve për të shtyrë zbatimin e hapave të mëtejshëm.

Hamasi ka deklaruar publikisht se nuk do të heqë dorë nga armët derisa forcat izraelite të tërhiqen plotësisht.

Sipas kushteve të statutit të Bordit të Paqes, Trump, i cili e ka emëruar veten kryetar dhe ka të drejtë vetoje mbi shumicën e vendimeve të tij, pritet të vazhdojë ta drejtojë organin edhe pas përfundimit të mandatit të tij presidencial, megjithëse presidenti i ardhshëm amerikan do të ketë anëtarësi të garantuar, sipas The Washington Post.

Karta e Bordit parashikon se mandat të përhershëm do të kenë vetëm ato vende që do të kontribuojnë mbi 1 miliard dollarë brenda vitit të parë në Bord. Shqipëria gëzon një mandat prej 3 vitesh. Të vetmet kosto, siç parashikon Karta e Bordit, do të jenë kontribute vullnetare për organizatën të cilat do të përcaktohen në një fazë të mëvonshme.

Marrëveshja për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes u ratifikua në Parlamentin e Shqipërisë më datë 22 janar me 110 vota pro. Kjo çështje si rrallë herë, bëri bashkë votat e opozitës me ato të mazhorancës.