HomeAktualitet

Tërbohet era në Lezhë, Durrës, Vlorë e Fier, shkul pishat në bregdeti dhe bllokon lundrimin (Foto+Video)

Tërbohet era në Lezhë, Durrës, Vlorë e Fier, shkul pishat në bregdeti dhe bllokon lundrimin (Foto+Video)

VLORE- Era e fortë për pak sa nuk ka shkaktuar viktima sot në Vlorë. Ashtu siç shihet edhe nga pamjet, një palmë është shkëputur nga trungu i saj, pasi ka qenë e kalbur dhe ka zënë poshtë një makinë, duke shkaktuar dëme materiale.

Fatmirësisht nuk pati persona të lënduar. Qyteti bregdetar është përfshirë nga një erë e fortë, e cila ka shkaktuar dëme edhe në disa biznese.

 

benzi 5

 

 

 

Fier-Stuhi e frikshme mund të konsiderohet era e madhe që ka fryrë gjatë natës e mëngjesin e sotëm në qytetin e Fierit, Vlorës dhe Durrësit.

Pamjet gati apokaliptike janë filmuar nga gazetari Ervis Kuçi në Fier, ekzaktësisht në rrugën nacionale që shkon drejt Vlorës, pranë ish-doganës së vjetër në Fier.

Ka pemë të rrëzuara, e automjete të zëna poshtë si në grackë. Tela e shtylla korrenti janë rrëzuar gjithashtu nëpër rrugë.

Raportohet se fatmirësisht brenda tre automjeteve nuk ka pasur persona në momentin që janë rrëzuar pemët.

Në rajonin e Fierit për shkak të erërave të forta janë krijuar probleme në rrjetin elektrik. Sipas drejtorit të OSHEE, Armando Zhupa janë dëmtuar disa linja të OSHEE.

LEZHE- Moti i keq ka përfshirë ditën e sotme edhe zonën e Lezhës. Era e fortë ka shkaktuar dëme të mëdha, sidomos në zonën bregdetare. Për shkak të forcës së erës, janë rrëzuar disa pisha në bregdetin e Shëngjinit.

“BalkanWeb” ka siguruar pamjet, ku duken edhe dëmet e shkaktuara nga era.

Po kështu, vihet re edhe një fenomen i përkohshëm si pasojë e motit të keq. Erërat mesdhetare, së bashku me baticën, kanë bërë që deti të mbulojë krejtësisht bregun, ku gjatë verës qëndrojnë çadrat e plazhistëve.

Në Velipojë uji ka mbuluar edhe shëtitoren në gati 50 cm lartësi.

Deti pritet të tërhiqet në kufijtë e tij në ditët në vijim, në të gjithë vijën bregdetare prej 14 km të Plazhit të Velipojës dhe në Shëngjin.

Banorët e zonës thonë se një situatë e tillë nuk është parë prej 18 apo 20 vitesh. Ndërsa dallgëzimi në det arrin 9-10 ballë.

DURRES- Era e fortë që ka përfshirë Durrësin paraditen e sotme, ka shkaktuar dëme në zona të ndryshme të qytetit bregdetar.

Një antenë e vendosur në katin e 5 të një pallati në Durrës ka përfunduar në katin e tretë si pasojë e erës së fortë. Mësohet se në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, ndërkohë që duhet ndërhyrja e zjarrfikëses për spostimin e saj.

Ndërsa në aksin hyrës të qytetit të Durrësit, në afërsi tek Stacioni i Trenit në lagjen nr.17, degë të këputura pemësh kanë përfunduar në rrugë.

Era ka bllokuar punën në portin më të madh të vendit, ndërsa rrugët janë boshatisur nga njerëzit.