HomeAktualitetDiaspora

“Trafik organesh nga UÇK dhe historia e “Shtëpisë së Verdhë”?! Serbët nisin xhirimet për filmin ‘Harvest’, Kosova reagon ashpër: Tentativë për deformimin e realitetit, alarm për ndërkombëtarët

“Trafik organesh nga UÇK dhe historia e “Shtëpisë së Verdhë”?! Serbët nisin xhirimet për filmin ‘Harvest’, Kosova reagon ashpër: Tentativë për deformimin e realitetit, alarm për ndërkombëtarët

“”Harvest” përpjekja e radhës e Serbisë për të deformuar historinë përmes filmit”, kështu e nis reagimin e saj Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës ndërsa thotë se politika serbe po ndërton narracion urrejtje ndëretnike.

Harvest filmi serb shtepia e verdhe

Përmes një filmi të tillë, shkruan ministria në reagimin e saj, Serbia po vijon me nxitjen e konfliktit edhe përmes filmit e instrumenteve të kulturës, të cilat, sipas saj, “në kushte normale do të duhet të ishin në funksion të demokracisë e bashkëjetesës.”

Në reagimin e MKRS thuhet se “bazuar në raportimet e mediave serbe, kanë filluar xhirimet e filmit ‘Harvest’, i mbështetur financiarisht nga shteti serb e i cili lidhet me ‘Shtëpinë e Verdhë’ në Shqipëri ku serbët pretendojnë që është kryer trafikim organesh nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pretendime fiktive dhe shpifje që nuk u vërtetuan asnjëherë nga autoritetet ndërkombëtare”.

“Ky nuk është filmi i parë me propagandë të Serbisë. Ngjashëm ishte realizuar edhe filmi dokumentar me metrazh të gjatë ‘Shtëpia e Verdhë’, i autores Slagjana Zariç”, thuhet gjithashtu në reagim.

Më tej thuhet se “tentativat e tyre të vazhdueshme për të deformuar realitetin, si në rastin e filmit ‘Harvest’, duhet të alarmojnë autoritetet relevante dhe bashkësinë ndërkombëtare”.

“E trishtë dhe e papranueshme të shohim se një mjet kulturor si filmi po keqpërdoret për të shpërndarë propagandë. Por, përtej tentativave për të rishkruar historinë përmes kinematografisë, e vërteta triumfon gjithmonë në sfidë me propagandën”, thuhet në reagimin e MKRS.