HomeBota

Tragjedi e rëndë në Mesdhe! Mbytet varka me emigrantë pranë Libisë: 80 persona të zhdukur e 32 të shpëtuar

Tragjedi e rëndë në Mesdhe! Mbytet varka me emigrantë pranë Libisë: 80 persona të zhdukur e 32 të shpëtuar

Një tjetër tragjedi është regjistruar në Mesdhe, ku rreth 80 migrantë rezultojnë të zhdukur pas përmbysjes së një varke në zonën e kërkim-shpëtimit pranë Libisë.

Sipas dëshmive të të mbijetuarve, në bord ndodheshin rreth 110 persona. Vetëm 32 prej tyre arritën të shpëtohen. Vetëm dy trupa janë nxjerrë nga deti.

Të mbijetuarit janë transportuar në Lampedusa, ku kanë rrëfyer momentet dramatike të ngjarjes.”Ishim 110 vetë në bord kur u nisëm’ tha njëri prej tyre.

Varka prej druri, rreth 12-15 metra e gjatë, ishte nisur nga Tripoli dhe u përmbys në det të hapur, duke lënë dhjetëra persona në ujë për një kohë të gjatë para se të mbërrinte ndihma.

Operacioni i shpëtimit u realizua nga Roja Bregdetare italiane, e ndihmuar edhe nga anije tregtare që ndodheshin në zonë, të cilat hodhën mjete shpëtimi dhe nxorën të mbijetuarit.

Alarmi për varkën në rrezik u dha fillimisht nga një avion i një organizate joqeveritare, që konstatoi mjetin e përmbysur dhe njerëz të kapur pas tij, ndërsa të tjerë ndodheshin në ujë.

Më pas, të mbijetuarit dhe trupat u transferuan në një anije të rojës bregdetare dhe u dërguan në tokë.

Në bord ndodheshin shtetas nga Pakistani, Bangladeshi dhe Egjipti.