Një ngjarje tragjike ka ndodhur në brigjet e ishullit Chios në Greqi, ku një përplasje midis një anijeje të Rojës Bregdetare greke dhe një gomone që transportonte emigrantë ka rezultuar me bilanc të rëndë.
Sipas autoriteteve, të paktën 14 persona kanë humbur jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë janë plagosur, mes tyre edhe 7 fëmijë. Operacionet e shpëtimit janë ende në vijim, me helikopterë Super Puma dhe pajisje me kamera termike që po kërkojnë emigrantët e zhdukur në det.
Ministria e Transportit ka deklaruar se incidenti u shkaktua nga manovrat e rrezikshme të gomones, ndërsa 27 emigrantë dhe 2 roje bregdetare janë dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Chios për trajtim mjekësor. Mjekët janë mobilizuar për ndërhyrje urgjente, ndërsa autoritetet lokale kanë vënë në gatishmëri të plotë strukturat shëndetësore.
Kryetari i Bashkisë së Chios ka theksuar se komuniteti është i tronditur nga ngjarja dhe se të gjithë mjekët janë angazhuar për të përballuar situatën. Ndërkohë, hetimet po vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e përplasjes dhe për të identifikuar personat e përfshirë në kontrabandën e emigrantëve.

