HomeBota

Trump dhe videoja e çiftit Obama si majmunë në Truth Social, republikanët kundër presidentit: E neveritshme

Trump dhe videoja e çiftit Obama si majmunë në Truth Social, republikanët kundër presidentit: E neveritshme

Fyerja raciste më klasike, e paraqitur në formë videoje në llogarinë Truth të presidentit të Shteteve të Bashkuara: një montazh 1-minutësh, kushtuar pretendimeve për manipulime zgjedhore në vitin 2020 në Michigan, në të cilin Barack dhe Michelle Obama shfaqen për disa sekonda me tiparet e dy majmunëve, me xhunglën në sfond.

Një video që ka indinjuar shumëkënd, pavarësisht se tashmë mund të jetë mësuar me gjuhën e Donald Trumpit, aq sa denoncimi erdhi pikërisht nga “Republikanët kundër Trumpit”, një llogari në X me një milion ndjekës, raporton Corriere della Sera. “Nuk merr fund kurrë”, kanë komentuar ata.

Videoja përsërit akuza që s’janë provuar kurrë ndaj kompanisë së numërimit të votave Dominion Voting, e cila gjoja ka kryer manipulime në dëm të Trumpit. Në rrjetet sociale, siç ndodh shpesh, indinjatat janë shumë më të shumta se sa ndjekja reale e videos.

Mbi të gjitha, reagimet e demokratëve. “Sjellje e neveritshme e presidentit. Çdo republikan duhet ta denoncojë. Tani”, thuhet në një postim në X të zyrës së shtypit të guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom.

I ashpër edhe Ben Rhodes, ish-këshilltar i lartë për sigurinë kombëtare dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Obamës. “Lëreni Trumpin dhe mbështetësit e tij racistë të torturohen nga fakti se amerikanët e së ardhmes do ta admirojnë çiftin Obama, ndërsa Trumpin do ta studiojnë si një njollë në historinë tonë”, ka shkruar ai në X.