HomeKronike

“Truri” i grabitjes së tokave në bregdetin e Lezhës tenton të arratiset, prangoset në Rinas

“Truri” i grabitjes së tokave në bregdetin e Lezhës tenton të arratiset, prangoset në Rinas

Policia ka vënë në pranga një tjetër person, i cili dyshohet se është i përfshirë në skemën e tjetërsimit të pronave në Lezhë. I arrestuari  është Lekë Frroku. Ai është arrestuar në afërsi të Rinasit gjatë një kontrolli të rastësishëm. Lekë Frroku, ndryshe njihej si krahu i djathtë i kryebashkiakut Fran Frrokaj, dhe një nga përfituesit kryesorë të grabitsjes së tokave.

Frroku gjente qytetarët në rrethinat e Lezhës, dhe iu merrte kartën identitetit. Në emër të këtij qytetari arrinte të merte një AMTP të falsifikuar dhe më pas ndiqte të gjithë praktikën në bashkinë e Lezhës dhe zyrat e Qarkut, praktikë kjo që është firmosur nga kryebashkiaku i qytetit dhe kryetari i këshillit të qarkut Lezhë.

Skema

Sipas policisë zyrtarët dhe ish-zyrtarët  në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë abuzuar me detyrën dhe kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte  në zonën bregdetare Shëngjin, tek vendi i quajtur “Rana e Hedhun”.

Kjo sipërfaqe është shndërruar me dokumenta të falsifikuara nga tokë shtetërore në bregdet, në tokë arë dhe pemtore.  Më pas është rregjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshe Lezhë (ZRPP), duke përfituar padrejtësisht në interes të tyre dhe personave të tjerë.