Në një seancë maratonë që zgjati plot 7 orë, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi ankimin e Erion Veliajt për shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Tiranës. Veliaj dhe mbrojtja e tij ligjore kërkuan anulimin e vendimit të qeverisë, duke hedhur akuza për një proces të motivuar politikisht. Këshilli i Ministrave dhe Presidenca mbrojtën pozicionet e tyre duke thënë se kanë vepruar brenda kuadrit ligjor dhe duke kërkuar në fund shpalljen e moskompetencës për ankimin e Veliajt, që sipas tyre duhej t’i ishte drejtuar Gjykatës Administrative.
Pritet të shihet se kur do të shpallet vendimi i Kushtetueses dhe nëse do të veprojë me shpejtësi edhe për shkak të interesit të lartë të çështjes. Kushtetuesja do ta njoftojë vetë datën dhe orën e shpalljes së vendimit, ku do të mësojmë nëse Veliaj do të vazhdojë të jetë ende kryetar i Bashkisë së Tiranës, apo Tirana do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.
***
LEXO EDHE:
Mbarimi i mandatit të Sonila Bejtjas, Begaj hap garën për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese
Që prej arrestimit më 10 shkurt, kjo ishte shfaqja e parë publike e Erion Veliajt, i cili mori dhe vetë fjalën gjatë parashtrimit të kërkesës së bërë prej tij për anulimin e vendimit të Qeverisë për shkarkimin e tij, si dhe të dekretit që pasoi nga ana e presidentit Begaj, për shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë, i pezulluar nga vetë Gjykata. Veliaj e la qelinë e paraburgimit të Durrësit rreth orës 08:48 dhe mbërriti në Gjykatën Kushtetuese në orën 09:30 i prangosur. I veshur me një kostum të zi, Veliaj dhe u dha një buzëqeshje një grupi të vogël mbështetësish që e pritën 7 orë jashtë, të cilëve në fund iu tha edhe ju dua.
Në fjalën e tij, Veliaj pyeti i drejtpërdrejtë Gjykatën se “çfarë shkelje kam kryer unë”, duke theksuar se mandati i tij kushtetues nuk mund të ndërpritet nga askush para se të përfundojë sipas afatit, veçse në rastet kur ka shkelje të rënda të Kushtetutës.
“Cilën shkelje të rëndë të Kushtetutës apo të ligjit kam kryer unë, në ushtrimin e mandatit kushtetues të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës? Përpjekja ime për të mbrojtur besëlidhjen me qytetarët e Tiranës, edhe në kushtet e rrëmbimit në qeli, është detyrim imi ndaj qytetarëve”, tha Veliaj.
Veliaj tha se e rrëmbyen nga zyra pa kryer asnjë shkelje dhe se po mbahet në paraburgim me një regjim burgosjeje më të rëndë sesa vrasjet seriale. Në këtë periudhë, tha ai, ka përjetuar një sërë shkeljesh të të drejtave themelore, dhe denigrimi e përpjekjeje për t’i heshtur zërin si i zgjedhur vendor. Por, “besimi se vota e lirë është më e fortë se kulisat politike është fuqia që e shtyn të bëj këtë betejë”, u shpreh Veliaj.
Ndonëse arrestimin e tij e quajti rrëmbim për show politik apo për interesa të caktuara politike, Veliaj tha se i ka qëndruar kontratës së besëlidhjes me qytetarët dhe i kërkoi Kushtetueses që të jetë garante që vota e qytetarëve të mos merret nga të tjerët në mënyrë të fshehtë apo hileqare, duke drejtuar dorën herë pas here nga përfaqësuesit e Presidencës dhe Këshillit të Ministrave.
Argumentimin për shkarkim se nuk është paraqitur në detyrë prej më shumë se tre muajsh e cilësoi si fyerje, më të rëndën në jetën e tij, sidomos që erdhi edhe nga të vetët, që siç tha Veliaj, janë njerëz që e dinë më mirë se kushdo punën e tij në bashki. Sipas tij, u bënë dy padrejtësi, të thuash se Veliaj mungoi në detyrë, nuk është thjesht një cinizëm që bëhet jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj së vërtetës dhe ligjit.
“Nuk kishin si të më fyenin më rëndë. Ishte më e rënda e jetës sime publike, sepse erdhi nga bashkëpunëtorët e mi, nga njerëz që më njohin më mirë se kushdo tjetër dhe që nuk denjuan as të më dëgjonin. Zoti i faltë! Lutem çdo natë për ta: Zot, fali, se nuk dinë ç’kanë bërë.”, shtoi ai.
Kritika pati edhe për procedurën që është ndjekur për shkarkimin e tij, duke thënë me ironi se është habitur nga eficenca mbresëlënëse që nga dita kur Këshilli Bashkiak votoi pro propozimit për shkarkimin e tij deri tek dekreti i Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë, duke lënë të nënkuptuar se kishte një skenar të koordinuar kundër tij.
Veliaj mbrojti me forcë idenë se procedura e ndjekur ndaj tij përfaqëson një rrezik për demokracinë.
“Në këtë seancë nuk po shqyrtohet një vend pune. Kjo është një seancë historike, që shqyrton vetë demokracinë shqiptare. Ne jemi betuar të mbrojmë demokracinë, jo ta përdorim atë. Të ruajmë si pasurinë më të shenjtë të Republikës, jo ta sakrifikojmë për llogari të momentit, për rehati politike apo për urdhra të përkohshëm, që bien ndesh me ligjin e përjetshëm të drejtësisë”, tha Veliaj.
Dhe për këtë arsye sipas tij “kjo është çështja gjyqësore që përcakton nëse pushteti do t’u përkasë ende qytetarëve apo do t’u merret atyre në mënyrë të fshehtë e hileqare, pas perdeve të lojërave me nene dhe germa të ligjit. Nëse ligji do të përdoret për të mbrojtur demokracinë apo për ta përmbysur atë në emër të formalizmave. Sepse kur pushteti që buron nga vota tjetërsohet me taktika për të anashkaluar vetë vullnetin e votës, atëherë besimi i qytetarëve kthehet në tradhti morale. Pushteti që ata na kanë dhënë për t’u shërbyer, përdoret për t’i sunduar, me të njëjtat mjete që na ka vënë në dorë për t’i mbrojtur. E atëherë, Republika nuk rrezikohet nga asnjë armik i jashtëm, por nga vetë ata që, nën betimin për ta mbrojtur, e përdorin për ta nënshtruar”.
Për Veliajn është e qartë se, rasti i tij, dhe mënyra se si u bë shkarkimi, mund të përbëjnë një precedent shumë problematik për të ardhmen.
“Nëse pranohet që një kryebashkiak i zgjedhur me votën e popullit mund të hiqet nga detyra pa vendim të formës së prerë, atëherë nga nesër çdo qytet, çdo bashki dhe çdo mandat popullor mund të bjerë pre e vendimeve politike të momentit. Në atë çast, zgjedhjet humbin kuptimin, vota humbet peshën dhe sovraniteti qytetar zëvendësohet nga vullneti i atyre që duan të sundojnë në emër të ligjit, por duke e përmbysur vetë ligjin”, theksoi Veliaj.
Pyetjes së trupës së gjyqtarëve të Kushtetueses për mungesën në detyrë, Veliaj iu përgjigj se mungesa e tij nuk është zgjedhje, pas me zemër do ishte në zyrë, por është i detyruar nga shteti, që siç tha ai një pjesë e ka çuar në Durrës në internim dhe një pjesë i thotë përse nuk je në Tiranë. Mungesa e tij në detyrë është me arsye tha Veliaj, duke theksuar se ndërkohë puna në Bashki nuk është ndërprerë edhe pse është në qeli, pasi detyra është deleguar. Veliaj tha se nuk kërkon mëshirë, por drejtësi Kushtetuese, duke theksuar se këtë betejë nuk po e bën vetëm për veten e tij, por edhe Ogertën, Florin apo Arlidnin, kandidatët që duan t’i zënë vendin në krye të Bashkisë së Tiranës.
Mbrojtja e Veliajt argumentoi se neni 62, pika c, i ligjit për qeverisjen vendore nuk mund të përdoret si bazë për shkarkimin e një kryebashkiaku, pasi neni 115 i Kushtetutës përcakton se qeveria mund të marrë një vendim të tillë vetëm për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve. Por, Këshilli i Ministrave kërkoi lënien në fuqi të vendimit për shkarkim, si edhe dekretin për zgjedhjet në Tiranë.
Gjatë seancës u rrëzua edhe kërkesa e Presidencës, e cila kërkoi që dekreti për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë të mos jetë pjesë e këtij gjykimi, pasi sipas tyre nuk është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese. Kërkesa u rrëzua me vendim unanim nga Kushtetuesja, por kjo solli kritika nga këshilltari ligjor i Presidencës, Ilir Rusmaili i cili tha se Kushtetuesja po tejkalon komptencat duke marrë në shqyrtim një akt administrativ të Presidentit.

