Gënjeshtër i quan kryeministri Edi Rama qëndrimet e opozitës se vendimi për të mos lejuar arrestimin e ish-numrit 2 të qeverisë Belinda Ballukut, do të bllokojë rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Në një konferencë për shtyp, ku komentoi edhe polemikat me ndërkombëtarët për këtë çështje, kryeministri Rama tha se vendimit për Ballukun iu dha një jehonë tërësisht e deformuar.
Ai theksoi edhe njëherë qëndrimin e socialistëve se kërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut nuk përmbushte as kushtet minimale për tu marrë në konsideratë, ndërsa shtoi se ky vendim në asnjë rast nuk cenon pavarësinë e drejtësisë.
“Kërkesa e SPAK nuk i përmbushte kushtet për u marrë në konsideratë, ndërkohë që përpjekja për ta lidhur refuzimin me ndonjë arsye tjetër apo ti dhënë refuzimit përmasën e një fakti që do të bllokojë rrugën e Shqipërisë në BE apo do pengojë zbatimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi apo do pengojë aktivitetin e pavarur të drejtësisë, është përpjekje e shëmtuar”, tha Kryeministri Rama.
Shefi i qeverisë e pranon debatin e krijuar me ndërkombëtarët për votën ndaj Ballukut, por thotë se në asnjë rast nuk ka pasur presion apo kërcënime. “Nuk ka asnjë frenim në rrugën tonë të pandalshme drejt anëtarësimit në BE”, theksoi kryeministri Edi Rama, duke shtuar se deklaratat e tyre ishin të qarta, por leximi që është bërë nga ata që i kanë vënë kujën se “mbaroi ëndrra europiane” është pervers dhe i qëllimshëm.
“Përtej mënyrës si janë pikturuar në karikaturat e pazarit mediatik dhe politik, diskutimet tona kanë qenë konstruktive. S’ka pasur asgjë të ngjashme sa i takon tensionit, presionit, kërcënimit. Këto janë gjëra që s’ndodhin në ato nivele ku bëhen ato diskutime. Edhe vetë deklaratat e bëra dje janë shumë të qarta, por varet sesi i lexon”, u shpreh Rama.
Kryeministri i bëri thirrje SPAK që të vijojë hetimet i papenguar për Ballukun dhe të gjejë edhe korrupsionin nëse ka.
“Prokuroria nuk ka ngritur një akuzë për korrupsion, jemi përballë një çështje në hetim e cila mund të hetohet lirisht pa më të voglën pengesë. Unë e inkurajoj prokurorinë të ndjekë dhe të hetojë të gjitha pistat ku mund të mendohet se mund të shfaqet gjatë rrugës ferra e korrupsionit”, tha Rama.
Votimi në seancën e së enjtes, me 82 vota të socialistëve dhe socialdemokratëve për të mos pranuar kërkesën e SPAK për arrestim të Ballukut, nxiti reagimin e Bashkimit Evropian dhe të disa ambasadave në vend. Përmes deklaratave të veçanta përfaqësitë diplomatike thanë se lufta kundër korrupsionit është një element kyç në rrugën e Shqipërisë drejt familjes evropiane.

