E bllokuar prej 11 ditësh pas rrëshqitjes masive të tokës, ka nisur qarkullimi i të gjitha mjeteve në aksin kombëtar Librazhd-Prrenjas. Sikurse shihet në pamje është një segment provizor, prej 200-300 metrash i paasfaltuar në vendin e quajtur Arrat e Rrugës, i cili do t’i japë frymëmarrje juglindjes së vendit dhe banorëve të zonës.
Segmenti provizor, kalon përmes rrugës së vjetër të shembur dhe trasesë ku po punohej për Korridorin 8 dhe do të funksionojë me sinjalistikë kantieri.
“Në kushtet optimale për aq sa mund të lejonin rrethanat. Është bërë testimi me mjete laboratorike dhe mjetet të rënda, nuk ka asnjë lloj shfaqje që ne të na shqetësojë. U bëj thirrje drejtuesve të mjeteve të tonazhit të rëndë, të respektojnë peshën e tyre në aks, që është pesha limit 8.2 tonë. Mund të krijojnë probleme, gropa. Jemi në kushte kantieri”, tha Kozeli.
Të çliruar nga mundimi i rrugëve alternative të gjata dhe të amortizuar, drejtuesit e mjeteve nuk ndalen gjatë tek siguria që ofron ky segment. Nuk mungojnë as ironitë e tyre.
“Bravo u qoftë, kantier më të madh s’kishim parë, vepër madhështore. Hallall i kanë të gjitha ato që kanë marrë dhe inshalla marrin edhe ca të tjera. Sot do ishte mirë të kishim kulaç të kishim daulle, si ajo e Qafë Plloçës që më parë u ça rruga sesa daullja. Këto 11 ditë kanë qenë bukuri fare, kemi bërë një shëtitje andej nga Spathari, nëpër ato gropat në fushën e romakëve, rruga që kanë bërë romakët ishte më e mirë se kjo që kanë bërë këta këtu”, tha një prej tyre.
“Siguri, s’e di. Për momentin mirë është”, tha një tjetër shofer.
“Kemi shpëtuar. Kemi lëvizur nga rruga e vjetër. Shumë e mundimshme, aq sa mbrëmë e lashë veturën këtu”, u shpreh një drejtues, kurse dikush tjetër tha se “është bërë punë e mirë”.
Sipas ARRSH-së, ky segment provizor do të shtrohet kur të arrihet stabiliteti i shtresave të tokës. Qarkullimi në këtë devijim provizor do të kryhet derisa të ndërtohet rruga alternative 1.3 km.
“Menjëherë do të fillojmë shkresat duke filluar nga dita e sotme. Aksi alternativ mbi lumin Shkumbin në krah të hekurudhës, 1.3 km do të kërkojë minimumi 60 ditë”, u shpreh ai.
Lëvizja, edhe pse e vështirë në këtë segment provizor, ofrohet si zgjidhje edhe për kamionët e transportit ndërkufitar që hyjnë dhe dalin nga dy pikat e kalimit kufitar, të Qafë-Thanës dhe Kapshticës. Pas situatës së krijuar me rrëshqitjet në aksin Librazhd-Prrenjas pritet të rishikohet dhe projekti i Korridorit 8, nëse do të vijojë të ndërtohet në gjurmën ku kishte nisur puna apo do të ndryshojë.

