Në Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), në atë që njihet si “Spitali Francez”, është realizuar për herë të parë testimi vestibular për pacientët që vuajnë nga probleme të veshit të brendshëm, një procedurë diagnostikuese që ndihmon në përcaktimin më të saktë të shkakut të këtyre patologjive. Drejtoresha e QSUT, Anxhela Paparizo ka qenë e pranishme në inspektimin e këtij investimi.
Përmes vënies në funksion të kabinetit të vlerësimit vestibular, pacientët do të kenë mundësinë të kryejnë ekzaminime të specializuara që ndihmojnë në orientimin e trajtimit dhe rehabilitimit të duhur. Sipas të dhënave të shërbimit të ORL-së, rreth një e treta e pacientëve që paraqiten për konsultë kanë nevojë për kryerjen e këtij testimi.
Kabineti është ngritur në kuadër të një projekti të financuar nga Agjencia Kombëtare për Kërkim Shkencor dhe Inovacion (AKKSHI), në bashkëpunim me Universiteti i Mjekësisë në Tiranë (UMT), dhe përfaqëson kabinetin e parë të këtij lloji në sistemin publik shëndetësor në Shqipëri.
Në një njoftim në rrjetet sociale, QSUT shkruan:
“Për herë të parë në QSUT realizohet testimi vestibular për pacientët që vuajnë nga probleme të veshit të brendshëm!
Përmes vënies në funksion të kabinetit të vlerësimit vestibular, pacientët që vuajnë nga këto patologji do të kenë mundësinë të marrin një vlerësim të saktë të shkakut të sëmundjes, duke orientuar më pas trajtimin dhe rehabilitimin e duhur. Sipas të dhënave të shërbimit, rreth 1/3 e pacientëve që paraqiten në ORL kanë nevojë për kryerjen e këtij testimi.
Ky kabinet është realizuar falë një projekti të financuar nga AKKSHI, në bashkëpunim me UMT, dhe përfaqëson kabinetin e parë të këtij lloji në sistemin publik shëndetësor.”
Nëpërmjet këtij investimi, QSUT synon të përmirësojë diagnostikimin dhe trajtimin e pacientëve që vuajnë nga çrregullimet e ekuilibrit dhe patologjitë e veshit të brendshëm.
Video: https://www.facebook.com/share/v/1ApCNyTBCf/?mibextid=wwXIfr

