HomeAktualitetDebat

VIDEO/ “Rëndësi ka që është transparente, jo mafioze”/ Berisha shmang përgjigjen për lobimin në SHBA: “Nuk jam zëdhënës i kompanisë”

VIDEO/ “Rëndësi ka që është transparente, jo mafioze”/ Berisha shmang përgjigjen për lobimin në SHBA: “Nuk jam zëdhënës i kompanisë”

Ish-kryeministri Sali Berisha shmangu sot një përgjigje të drejtpërdrejtë për pyetjet e gazetarëve lidhur me deklaratën fillestare të firmës lobuese amerikane Continental Strategy, e cila i kishte dërguar një letër Departamentit Amerikan të Shtetit ku thuhej se ai “nuk ishte më aktiv në politikë”. Letra, që më pas u korrigjua për të saktësuar se Berisha është kryetar i Partisë Demokratike, por pa poste qeveritare, ngjalli debat dhe pikëpyetje të shumta mbi qëllimin dhe vërtetësinë e informacionit të paraqitur nga lobistët.

I pyetur për këtë mospërputhje, Berisha refuzoi të japë sqarime konkrete, duke u distancuar nga përmbajtja e letrës:

“Për asnjërën prej tyre nuk kam përgjigje. Nuk jam zëdhënësi i kompanisë në fjalë. Ajo ka rregullat e saj të funksionimit, drejtojuni asaj. Shkruaji kompanisë që të të kthejë përgjigje,” deklaroi Berisha.
Në një përpjekje për të zbutur ndikimin e deklaratës së gabuar fillestare, ai shtoi:

“Rëndësi ka që ajo është transparente dhe jo mafioze.”

Pavarësisht kësaj, PD ende nuk ka depozituar në KQZ një faturë për këtë kontratë.

Megjithatë, refuzimi i tij për të komentuar përmbajtjen e dokumentit që në thelb prek direkt figurën dhe pozicionin e tij politik, lë pas një sërë paqartësish dhe shton dyshimet mbi mënyrën se si është prezantuar figura e tij përballë autoriteteve amerikane. Kjo është veçanërisht delikate në kontekstin e statusit “non grata” që Departamenti i Shtetit i ka dhënë Berishës.

Kompania Continental Strategy është angazhuar nga Berisha për shërbime lobimi në SHBA, me një kontratë që kap vlerën e rreth 6 milionë dollarëve, të paktën sipas asaj që raportohet./ TemA