HomeAktualitetDebat

VIDEO/ Rikthimi i Ballukut në detyrë, Rama: U eliminua një precedent unik në botë! Gjyqtarëve u ka marrë koka erë, duan t’i rrisin rrogat vetes, të hapin me dhunë arkën e shtetit

VIDEO/ Rikthimi i Ballukut në detyrë, Rama: U eliminua një precedent unik në botë! Gjyqtarëve u ka marrë koka erë, duan t’i rrisin rrogat vetes, të hapin me dhunë arkën e shtetit

Me rikthimin në detyrë të zv. Kryeministres dhe ministres Belinda Balluku, për Kryeministrin Rama Gjykata Kushtetuese eliminoi një precedent unik në botë, një brutalitet alla shqiptarçe siç e quajti ai në interpretimin e ligjit, i cili goditi organizmin demokratik të shtetit. Kjo kërkon një reflektim serioz ndërinstitucional thotë kreu i qeverisë dhe koha për të ndarë beben e sapolindur të drejtësisë nga ujërat e pistë është tani.

“Jo thjesht e vetëm mbi këtë rast, po në tërësi mbi simptomat shqetësuese të ushtrimit me papërgjegjshmëri të pavarësisë së pushtetit të ri të drejtësisë, duke e bërë në, jo një rast, kurën, më të dëmshme se sa sëmundja që luftojmë bashkërisht”, tha kryeministri.

Rast të ngjashëm të marrjes së kompetencave të qeverisë e të parlamentit nga ana e gjyqësorit thotë se është edhe kërkesa për rritjen e rrogave të togave të zeza.

“Përtej kufijve kushtetues mes pushteteve, qëndrojnë ata, togat e zeza të Shqipërisë, me pushtetin suprem të çekiçit të drejtësisë të pavarësuar nga politika tanimë. Dhe atë çekiç që Republika ua ka besuar për interesin e saj të lartë të drejtësisë së barabartë për të gjithë, ata mund ta përdorin kur të duan për të hapur me dhunë arkën e buxhetit të shtetit, e për t’ja rritur rrogat vetes. Dhe atë çekiç që Republika ua ka besuar për interesin e saj të lartë të drejtesisë së barabartë për të gjithë, ata mund ta përdorin kur të duan për të hapur me dhunë arkën e buxhetit të shtetit, e për t’ja rritur rrogat vetes, dhe sa përkatësisht 1600 euro plus në muaj për gjykatat e prokuroritë e zakonshme dhe 3100 euro plus në muaj për Gjykatën Speciale e për Spak-un.”, tha Rama.

Reflektim kërkon edhe nga SPAK. Rama tha se lufta kundër korrupsionit kërkon tjetër nivel, duke i kujtuar prokurorëve të posaçëm dy mëkate sipas tij.

“Nuk mund të konsiderohet e përmbushur plotësisht me sukses, nga ana e atij institucioni, nëse maskohet me statistika të nxjerra nga “thesi i madh” siç quhet neni i mjegullt i shpërdorimit të detyrës – për të cilin sapo ka dalë edhe një direktive e re e BE-se – pikërisht për të reflektuar mbi shqetësime që nuk janë vetëm tonat apo me lojëra mediatike te llojit Big Brother, me transkripte telefonash te nxjerra në shkelje të ligjit nga dosjet hetimore, për të cilat po ashtu BE-ja ka korniza shumë strikte ligjore”, tha Rama.

Altin Dumanit edhe një herë Rama i shprehu vlerësimin për punën e bërë për një drejtësi që nuk sheh majtas e djathtas, po vetëm drejt.

Kryeministri gjithashtu komentoi dhe kërkesat e gjyqtarëve për rritje të pagave, duke thënë se pasi morën kompetencat e presidentit dhe kryeministri duke pezulluar nga detyra një ministre, tani kërkojnë që të hapin me dhunë arkën e shtetit.

Fjala e Kryeminstrit Edi Rama për vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese hoqi pezullimin e zv. Kryeministres dhe vendosi ta gjykojë çështjen në themel në fund të janarit. Në aspektin ligjor u eliminua një precedent unik në botë dhe u zmbraps nga gjykata me e lartë e vendit, një brutalitet alla shqiptarçe në interpretimin e ligjit, i cili goditi organizmin demokratik të shtetit.

Ndërsa në aspektin ndërinstitucional, kjo befasi antikushtetuese dhe antidemokratike, ku një prokuror dhe një gjykatës, morën kompetencat e Kryeministrit, Presidentit, Parlamentit, duke tollovitur shtetin e duke e kthyer një proces ligjor, në një gjyq partizan jashtë kornizës së ligjit, kërkon medoemos një reflektim po kaq ndërinstitucional.

Jo thjeshtë e vetëm mbi këtë rast, po në tërësi mbi simptomat shqetësuese të ushtrimit me papërgjegjshmëri të pavarësisë së pushtetit të ri të drejtësisë, duke e bërë në, jo një rast, kurën, më të dëmshme se sa sëmundja që luftojmë bashkërisht. Kjo shkrepëtimë nuk erdhi në qiell të pastër dhe nuk erdhi as e vetme për fat të keq ose ndoshta për fat të mirë, sepse paralelisht me pezullimin antikushtetues të një ministri, u shpërfaq, këtë here, jo falë, një prokurori e një gjykatësi të vetëm, po falë dy shoqatash të gjyqtarëve të Shqipërisë, një tjetër brutalitet alla shqiptarçe, me hapjen e një gjyqi nga gjykatesit për të rritur pagat e tyre.

Po, po e dëgjuat mire, gjykatësit duan të rrisin vetë pagat e tyre.

Jo për herë të parë, fatkeqesisht, po për herë të dytë, ata duan të marrin përsëri kompetencat e qeverisë e të parlamentit, duke u treguar, jo thjeshtë të zgjedhurve, po vetë zgjedhësve, se mbi vullnetin e tyre dhe përtej kufijve kushtetues mes pushteteve, qëndrojnë ata, togat e zeza të Shqiperisë, me pushtetin suprem të çekiçit të drejtësisë të pavarësuar nga politika tanimë. Dhe atë çekiç që Republika ua ka besuar për interesin e saj të lartë të drejtesisë së barabartë për të gjithë, ata mund ta përdorin kur të duan për të hapur me dhunë arkën e buxhetit të shtetit, e për t’ja rritur rrogat vetes, dhe sa përkatësisht 1600 euro plus në muaj për gjykatat e prokuroritë e zakonshme dhe 3100 euro plus në muaj për Gjykatën Speciale e për Spak-un.

Një shprehje e urtë italiane thotë “due indizzi non fanno una prova”, dy indicie nuk përbejnë një provë – çka sot ne fakt po të shohësh se si fajësohet njeriu në mexhelisin tonë politik e mediatik, përbejnë, jo një provë, po dy dënime.

Por unë, nuk do ta ndjek kurresesi logjikën e mbrapshtë të dënimit me indicie, as në këtë rast, po do të mbetem tek bindja se këto dy indicie tejet shqetësuese nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia, si puna e ca trimoshave të BKH-së, për të cilët kam dëgjuar shumë çudira, po kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave, e nuk donin ta linin patllaken tek dera sipas rregullores së sigurisë së lartë, të Gardës së Republikës.

Pra, nuk dua kurresesi të them se ferrat e mendësive e sëmundjeve të vjetra, e kanë marrë uratën e drejtësisë së re, por dua të ndaj me të gjithë bindjen se ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për të ndarë beben e sapolindur nga ujërat e pistë, në një proces historik, ku duhet të garantojmë medoemos suksesin e Reformës në Drejtësi, duhet të garantojmë pavarësinë e gjyqësorit, po ku po ashtu, nuk mundet kurrësesi të lejojmë medoemos që kura të bëhet problem më i madh se sëmundja, duke rrezikuar liritë, të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës e të ekonomisë së vendit.