HomeSport

Vllaznia shpërfytyrohet në “Loro Boriçi”, Tirana eleminohet që në sekondat e para, Partizani kualifikohet me një gol në minutën e 93-të

Vllaznia shpërfytyrohet në “Loro Boriçi”, Tirana eleminohet që në sekondat e para, Partizani kualifikohet me një gol në minutën e 93-të

Partizani

Partizani është kualifikuar në turin e dytë kualifikues të Conference League-s. Pas barazimit 1-1 në “Elbasan Arena”, kryeqytetasit kanë mposhtur maltezët në transfertë me rezultatin 1-2. Pjesa e parë përfundoi me rrjeta të paprekura, ndërsa e dyta filloi me një gol të Marsaxlokk-ut. Messias-i ndëshkoi Partizanin me një gol nga distanca, por kundërpërgjigja erdhi vetëm 2 minuta më vonë.

Ishte Tedi Cara ai që ktheu sërish baraspeshën me golin e shënuar në minutën e 48. Kur ndeshja po shkonte drejt shtesave, Albers Keko i dha kualifikimin të kuqve. Sulmuesi i Partizanit e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 93-të. Skuadra shqiptare përmbysi kështu ndeshjen në shifrat 1-2, duke kaluar kështu me sukses në raundin e dytë të Conference League-s.

Tirana

Rrugëtimi i Tiranës në Europë është ndërprerë sot. Bardheblutë i thonë “lamtumirë” Conference League-s pas humbjes minimale 0-1 nga Torpedo Kutaisi. Kryeqytetasit barazuan 1-1 me një lojë bindëse në Gjeogji dhe në “Elbasan Arena” pritej të niste festa për kalimin në turin e dytë. Por e kundërta ndodhi.

Vetëm 120 sekonda lojë dhe Torpedo Kutaisi ndëshkoi Tiranën. Ishte Johnsen-i ai që e dërgoi topin në rrjetë dhe i dha fitoren Torpedo Kutaisit. Kaq mjaftoi për gjeoergjianët që të prisnin biletën për në turin e dytë kualifikues të Conference League

Barazimi 2-2 në Islandë mbajti gjallë shpresat te tifozët shkodranë. Aq më tepër kur goli i barazimit të Valurit u shënua tej kohës shtesë të akorduar nga gjyqtari. Por kur të gjithë prisnin një ndeshje të luftuar në “Loro Boriçi”, ndodhi që historia e kësaj sfide u mbyll që në pjesën e parë.

Vllaznia

Pederseni nisi goleadën islandeze që në minutën e 13, ndërsa vetëm 3 minuta më vonë ishte Tryggvason-i ai që dyfishoi shifrat. Ndërkaq, në minutën e 36, ishte përsëri Pederseni ai që ndëshkoi Vllazninë, duke bërë që pjesa e parë të përfundonte me epërsinë e trefishtë të Valurit.

Festivali i golave nuk u mbyll me kaq. Haraldsson-i vulosi njëherë e mirë historinë e ndeshjes në minutën e 68, duke i çuar shifrat në ato përfundimtare, 0-4. Vllaznia u shpërfytyrua në “Loro Boriçi”, nga ku i tha lamtumirën Conference League-s që në turin e parë të saj.