HomeAktualitetDebat

Vota për Ballukun ndërhyrje flagrante e ambasadave “diplomatikisht”! Mos të ketë pengesa për SPAK! Kryeministri i sqaron: Të hetojë i patrazuar jo duke burgosur e kërcënuar! Dinjiteti i parlamentarëve nuk është material për eksperimente socio-politike

Vota për Ballukun ndërhyrje flagrante e ambasadave “diplomatikisht”! Mos të ketë pengesa për SPAK! Kryeministri i sqaron: Të hetojë i patrazuar jo duke burgosur e kërcënuar! Dinjiteti i parlamentarëve nuk është material për eksperimente socio-politike

Nevoja që Prokuroria e Posaçme të mos pengohet në hetimin e rasteve të korrupsionit, ishte emëruesi i përbashkët deklaratave të Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadave të dy vendeve anëtare, Gjermanisë dhe Hollandës si dhe asaj të Britanisë së Madhe, që shoqëruan votimin e sotëm në parlament, ku me votat e shumicës u rrëzua kërkesa e SPAK-ut për arrestimin e Belinda Ballukut.

Por për kryeministrin Edi Rama “shumica qeverisëse, bëri sot pa asnjë diskutim atë që do të bënte çdo parlament demokratik i Europës”, duke vënë në dukje se ndaj Ballukut nuk ka akuzë për korrupsion dhe se Spak-u është I lirë të hetojë “pa yshtjen e faktorëve të jashtëm”.

Delegacioni i Bashkimit europian ndërsa kujtonte se “angazhimi ndaj sundimit të Ligjit dhe lufta kundër korrupsionit janë me rëndësi të madhe për procesin e anëtarësimit në BE”, vuri në dukje se “sigurimi i një mjedisi të favorshëm që SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij është thelbësor për të mbështetur në mënyrë të besueshme progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”.

Thuajse në të njejtën linjë, por pak më të drejtpërdrejta, ishin dy vendet e anëtare, Gjermania dhe Hollanda që reaguan veçmas por me të njejtin tekst: “Ne presim qartë që, në raste të tilla, sistemi i drejtësisë të jetë në gjendje të veprojë me shpejtësi dhe pa pengesa. Politika shqiptare mbetet përgjegjëse për të siguruar këtë proces”.

Me herët, para se të votohej në parlament, ambasada britanike kishte theksuar se “ndërsa imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, ai nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit”.

Kryeministri Edi Rama, qartazi nuk u pajtua me këto qëndrime. Në krye të reagimit në platformën ‘X’, ai shprehet se bie dakort 100 për qind, por vetëm mbi parimet e ngritura e jo për çështjen.

Në shtjellimin e tij mbi rastin, ai vë në dukje se synimi për anëtarësim në BE në vitin 2030 mbetet i palëkundur, se lufta ndaj korrupsionit vazhdon më këmbëngulëse dhe se nuk ndryshon asgjë në mbështetjen ndaj Reformës në Drejtësi e ndaj SPAK-ut.

Rama nënvizoi se Balluku nuk është e akuzuar për korrupsion, dhe se “hetimi i çështjes duhet të vazhdojë, i patrazuar as nga pengimi as nga yshtja e SPAK-ut, prej faktorësh jashtë kufijve të pushtetit të pavarur gjyqësor”.

Kryeministri u shpreh më tej i bindur se shumica e tij qeverisëse, “bëri sot pa asnjë diskutim atë që do të bënte çdo parlament demokratik i Europës” ku sipas tij, kalimi i kërkesave të prokurorisë, edhe thjesht për nisje hetimesh “është një proces serioz, i bazuar në norma kushtetuese e ligjore, të cilat nuk janë as karta bianka, as dyer të mbyllura për prokurorinë”.

Ai la të kuptohej se shumicës po i kërkohej diçka e ndryshme nga çfarë ndodh në vendet europiane, normat e të cilave “ne i kemi respektuar plotësisht”. Sipas tij “ kush pretendon të kundërtën, ka të drejtën e vet të padiskutueshme, po s’ka argumenta të mjaftueshëm për ta fituar debatin mbi ekzistencën ose jo të kufirit mes pushteteve të pavarur kushtetues, të cilin parlamenti i Shqipërisë e mbylli sot duke treguar se dinjiteti i parlamentarëve nuk është material për eksperimente socio-politike, të cilat e bëjnë kurën më të rrezikshme se sa sëmundja që duhet të luftojë!”