E përditshmja amerikane Washington Post ka renditur Shqipërinë në 10 destinacionet më të mira të udhëtimeve për 2025-ën.
Në një renditje të publikuar në ditën e fundit të vitit thuhet se, me bukurinë e saj mahnitëse natyrore, historinë e pasur dhe mikpritjen e ngrohtë, Shqipëria është një alternativë e denjë kundrejt Italisë ose Greqisë.
Në shkrimin e gazetares Natalie Compton citohen turistë që e kanë vizituar vendin. Sipas tyre, Shqipëria ofron gjithçka: ushqimin, natyrën, jetën e natës, me një kosto shumë më të ulët dhe pa turma vizitorësh.
Vetë gazetarja bëri një udhëtim me familjen, duke e nisur nga Shkodra, që sipas saj është një rajon i famshëm për malet, liqenet, akomodimet në ferma dhe ecjet në natyrë, si dhe historinë e tij.
Më pas ajo veçon rivierën shqiptare, me një udhëtim drejt qytetit të Himarës. Ajo nënvizon se shpenzimet për ushqimin ishin shumë herë më të lira se në Pulia të Italisë, Majorka të Spanjës apo edhe në Maltë. Gazetarja e Washington Post veçon edhe Beratin dhe Tiranën.
“Ajo që zbuluam në Shqipëri ishte më shumë se sa një ‘kopje’ e vendeve të saj fqinje”, thotë gazetarja amerikane. Krahas Shqipërisë, Washington Post rendit edhe destinacione të njohura në Spanjë, Afrikë dhe deri në El Salvador.

