HomeHumor

Zengjineja u përgjigjet OJQ pro Gazit

Zengjineja u përgjigjet OJQ pro Gazit

Pas letrës së hapur të 17 organizatave për mbrojtjen e grave dhe barazisë gjinore në mbrojtje të Gazit nga zengjineja, kjo e fundit u ka kthyer sot një përgjigje publike.

Të dashura gra të OJQ dhe burra që luftoni për barazinë gjinore. Lexova shumë e lënduar protestën tuaj ndaj meje drejtuar Kuvendit, ku kërkoni ndëshkimin tim për dialogun publik me Gazin.

Kam 24 orë që po sjell e risjell në mendje fjalët e zemrës që më dalin për Gazin dhe nuk e kuptoj ku e kam prekur që më raftë pika më raftë. Unë kisha kaq kohë pa folur me të dhe, meqë ai më përmendi vetë në Kuvend, mendova se ai nuk jeton dot pa mua, ndaj dhe komunikova prapë me të publikisht. Dhe nuk mu duk se u mërzit kur më dëgjoi, se i shkëlqenin sytë dhe i ndriçonte fytyra.

Ndaj kërkoj prej jush që, kur bëni protesta të tilla, të jeni më shpjeguese konkretisht ku e kam prekur apo lënduar unë Gazin tim në fjalimin që mbajta. Nuk mund t’i kërkosh Kuvendit një dënim në përgjegjësi pa thënë konkretisht një fjali apo një shprehje që ju mendoni se e fyen Gazin.

Dhe personat që i kam përmendur janë persona konkretë, të cilët nuk janë ankuar që i përmend.

Nëse mendoni se Gazi ndjehet nën trysni seksuale kur flas unë, kjo është çështje e aspektit fiziologjik të tij dhe nuk zgjidhet nga Kuvendi. Kuvendi nuk garanton shmangien e emocioneve seksuale të deputetëve ndaj njëri-tjetrit. I shmang vetëm dhunën seksuale dhe dënon gjuhën seksiste, siç është fjala vjen gjuha e Doktorit ndaj grave socialiste.

Por unë nuk kam përdorur gjuhë seksiste ndaj Gazit në asnjë rast. Madje i jam drejtuar gjithnjë në gjininë mashkullore, duke i thënë “O Gazo” për të shmangur çdo keqinterpretim të mundshëm nga ju.

Se ne socialistët për dorë edhe jemi dëgjuar, por për çështje nderi nuk të tolerojmë.

Kështu që ju e keni për detyrë e para të më thoni ku e kam prekur Gazin dhe e dyta të rekomandoni si t’i drejtohem që të mos fyhet as ai as ju, dhe që të jem në rregull me barazinë gjinore.

Sido që të jetë, unë jam e hapur të ballafaqohem me të sa herë ka seancë në Kuvend dhe të shpreh gjithë dashurinë dhe respektin që ma ka lindur prej tij nga fushata elektorale, pasi falë tij ne dolëm qarku me më shumë deputetë në diferencë me opozitën. Dhe këtë nder nuk ia harrojmë kurrë.

Gazo, të bëfsha kurban, mos i dëgjo këto otllokët e OJQ se ato duan të kapin ndonjë lek duke bërë sikur të mbrojnë ty. Të mbron motra ty nga çdo e keqe.