Nga takimi i Bordit të Paqes në Uashington, kryeministri Edi Rama konfirmoi se Shqipëria do të japë kontributin e saj me trupa ushtarake në Gaza.
Teksa falenderoi Presidentin Trump për ftesën që i bëri Shqipërisë si një nga vendet anëtare në Bordin e Paqes, kryeministri Rama tha se “në Europë thonë që Bordi i Paqes synon të zëvendësojë OKB-në, por nuk më duket një përpjekje e tillë”.
“Faleminderit që më keni ftuar të jem pjesë e këtij rrugëtimi, z. President.
Vota plotësisht e harmonizuar dypartiake që parlamenti ynë pati në mbështetje të kësaj nisme, flet vetë përsa e nderuar ndihet Shqipëria që është një prej anëtareve themeluese e kësaj organizate të re.
Shumë thonë se Bordi i Paqes synon të zëvendësojë Kombet e Bashkuara por mua nuk më duket si një përpjekje për të zëvendësuar OKB-në, por nëse ndihmon ta shkundë atë gjigand në agoni dhe dashtë Zoti, ta zgjojë, atëherë, Zoti e bekoftë Bordin e Paqes.
Z. President, ne përgëzojmë rolin tuaj vendimtar për të ndalur konfliktin pikëllues në Gazë dhe Shqipëria ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në forcën e stabilizimit me trupat e saj.
Në të njëjtën kohë, propozoj që ky Bord të ftojë të gjitha vendet të kontribuojnë drejtpërdrejtë me ndërtimin e një objekti publik të dedikuar për fëmijët palestinezë. Duke bërë kështu, bota do të ndihmonte fëmijët e Gazës që janë pengjet më të pafajshme të lunatizmit të Hamasit, të rriteshin me praninë fizike të vargut më të madh të duarve që ka shtrënguar bashkë njerëzimi ndonjëherë, jo vetëm duke vendosur paratë, por po kështu duke sjellë dhe arkitektët e tyre në mënyrë që bota të transformojë një plagë të historisë në një oaz shprese, ku dhembshuria merr formë konkrete dhe e ardhmja merr formë rreth atyre që meritojnë më shumë, brezi i ardhshëm i palestinezëve” – u shpreh Rama.

