HomeAktualitetKryesore

ZYRTARE/ Arritje e madhe: Shqipëria bëhet pjesë e Këshillit të Sigurimit të OKB!

ZYRTARE/ Arritje  e madhe: Shqipëria bëhet pjesë e Këshillit të Sigurimit të OKB!

Shqipëria do të jetë pjesë e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pasi u votua për të marrë një nga 5 vendet e përkohshme në këtë këshill, me një mandat dyvjeçar.

Në garë për 5 vende ishin 6 shtete, përveç Shqipërisë edhe Brazili, Republika Demokratike e Kongos, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Shqipëria ishte vendi i vetëm që nuk kishte qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit.

Vendi ynë u mbështet nga 175 vende anëtare te OKB ndërsa në votim morën pjesë në 190 shtete.

Kjo eshte hera e parë e përzgjedhjes së vendit tonë në këtë funksion, pas 65 vitesh nga anëtarësimi i saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Vendet kandidate do të zëvendësojnë pesë anëtarë aktualë, Estonia, Nigeri, Saint Vincent dhe Grenadines, Tunizia dhe Vietnami.

Mandati i anëtarëve të rinj fillon më 1 janar 2022 dhe do të shërbejnë deri në 31 dhjetor 2023. Pesë shtetet e tjera në grupin e 10 anëtarëve jo të përhershme janë India, Irlanda, Kenia, Meksika dhe Norvegjia.

Këshilli i Sigurimit, një organ i OKB-së me kompetenca të fuqishme, përbëhet nga 15 anëtarë, 5 prej të cilëve të përhershëm, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina, si dhe 10 anëtarë jo të përhershëm, me një mandat dy vjeçar.

Këshilli i Sigurimit merret me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe ka kompetenca të dërgojë paqeruajtës në rajone të trazuara, si dhe të miratojë sanksione.

Veprimet e tij supozohet të parandalojnë dhe zgjidhin konflikte, por në vitet e fundit, kritikët thonë se pikëpamjet kontradiktore, veçanërisht mes pesë anëtarëve të përhershëm, kanë bllokuar marrjen e vendimeve për çështje urgjente.