Pas katër vitesh me fanellën e Shkëndijës së Tetovës, Klisman Cake ka vendosur të bashkohet me Akhmat Grozny në Premier Ligën ruse të futbollit. Cake ka pasur një klauzolë në kontratën me kuqezinjtë nga Tetova, gjë që nuk e ka frenuar klubin rus për të paguar 400 mijë kartonin dhe marrë në pronësi mbrojtësin 26-vjeçar.
Debutimi me kombëtaren shqiptare më 14 tetorin e 2025 në fitoren 4-2 kundër Jordanisë në miqësore dhe afrimi nga Sylvinho në ekip, nxorën në pah cilësitë e Cakes i cili ka hedhur një hap të rëndësishëm në karrierë.
Klisman Cake iu bashkua Shkëndijës në janar të vitit 2022 dhe për katër vite e pesë sezone jo të plota ishte pjesë e pandashme e kuqezinjve. Gjatë kësaj periudhe ai fitoi titullin kampion dhe regjistroi 133 paraqitje zyrtare (106 në kampionat, 3 në Kupë dhe 24 në arenën evropiane), duke shënuar 12 gola.
Karriera e Cakes nisi te moshat e Tiranës, ndërsa ai luajti për dy sezone me ekipin e parë të bardhebluve mes viteve 2017-2019. Më pas mbrojtësi kaloi te Struga për tre vite në Maqedoninë e Veriut, për të vijuar më pas në Tetovë me Shkëndijën (prej 1 tetorit 2022).

