9 orë seancë/ Lihet në qeli autori i vrasjes së portugezit, 2 turqit dhe 3 kamarierët e ‘Principotes’! Vata: Po bënin zhurmë, thikën ia mora turistit! Detyrim paraqitjeje për 5 të tjerët

9 orë seancë/ Lihet në qeli autori i vrasjes së portugezit, 2 turqit dhe 3 kamarierët e ‘Principotes’! Vata: Po bënin zhurmë, thikën ia mora turistit! Detyrim paraqitjeje për 5 të tjerët

Arrest në burg është masa e sigurisë që caktoi Gjykata e Sarandës për Sokrat Vatën, autorin e dyshuar të vrasjes së turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes, orët e para të mëngjesit të 18 gushtit në lokalin “Principote” në Ksamil.

Pas seancës që zgjati për më shumë se 9 orë, togat e zeza lanë gjithashtu në burg pa afat dy turqit Ezgi Parlak dhe Nuh Mahmutoglu (Mahmutollu) të cilët tentuan ta largonin drejt Tiranës Vatën, duke e futur në bagazhin e makinës

Për Ildi Cekanin, Serxhi Selimin dhe Ervis Buncin (kamarierë) të cilët dyshohet se janë bërë pjesë e konfliktit, duke qëlluar me grushte në drejtim të 20-vjeccarit portugez, gjykata vendosi arrest bnë burg me një afat 45-ditor.

Nga ana tjetër, u vendos ‘detyrim paraqitjeje’ për truprojat Luciano Seferi, Moisid Matushaj, Romeo Shehu dhe Kristo Kosho si dhe për kamarierin Murat Zhabina. Luciano Seferi, Moisid Matushaj dhe Romeo Shehu, ishin të dypunësuar pa leje si truproja, pasi punonin edhe në Policinë e Shtetit, në Policinë e Burgjeve dhe Policinë Bashkiake.

Report Tv mëson se autori i dyshuar Sokrat Vata ka shprehur pendesë për ngjarjen para togave të zeza. Ai ka pretenduar se grupi i turistëve të huaj i kishte sharë dhe i kishte goditur, dhe se thikën ia kishte marrë portugezit teksa përpiqej ta neutralionte.

“Në këtë moment dikush nga turistët e huaj më goditi me shkelm në nofull, aty jam rrëzuar ata kanë tentuar të më godasin sërish, instiktivisht kam lëvizur dorën për tu mbrojtur, nuk e kujtoj si e kam goditur, pasi isha nën shok nuk e dija nëse ndonjëri nga ata ishte plagosur, pasi ishin shumë”, ka pretenduar Vata para Gjykatës.

Përgjatë gjithë ditës, jashtë dyerve të gjykatës së Sarandës prisnin familjarët e të akuzuarve.

Aty u dëgjuan edhe thirrjet e familjarëve: ‘Sokrat të duam shumë’ dhe ‘shpirti i mamit, të dua shumë!’.

Sipas hetimeve, konflikti nisi në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas vijoi në plazhin e lokalit “Paradise”.

20-vjeçari Luis Miguel Varela Mendes, dyshohet se u godit fillimisht me grushte nga David Heurtevent, alias Danjel Gjana, shpallur në kërkim. Ndërsa goditjen fatale me thike e mori nga Sokrat Vata. Gjana dhe Vata akuzohen për Vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim. Ndërsa pronari i lokalit, Bekim Bulica është në kërkim për moskallëzim krimi.

Personat e përfshirë dhe rolet e tyre në ngjarje

1. Sokrat Lipan alias Sokrat Vata – autori i dyshuar i krimit, i arrestuar.
2. Nuh Mahmutoglu – shtetas turk, i arrestuar; dyshohet se ndihmoi autorin në tentativën për t’u arratisur.
3. Ezgi Perlak – shtetase turke, e arrestuar; dyshohet se ndihmoi autorin në tentativën për t’u arratisur.
4. Serxhi Selimi – kamerier në lokal.
5. Ervis Bunci – kamerier në lokal.
6. Ildi Cekani – kamerier në lokal.
7. Murat Zhabina – kamerier në lokal.
8. Miosid Matushaj – oficer i Policisë në Gjirokastër; i arrestuar, por ende nuk është pezulluar nga detyra.
9. Luciano Seferi – punonjës i Policisë së Burgjeve në Fier; i arrestuar, por ende nuk është pezulluar nga detyra.
10. Romeo Shehu – polic bashkiak në Gjirokastër; i arrestuar dhe i pezulluar nga detyra.
11. Kristi Koshi – i arrestuar; funksioni apo vendi i tij i punës nuk dihet.
12. David Heurtevent – klient në lokal, i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në krim.
13. Bekim Bulica – pronar i lokalit, i shpallur në kërkim për fshehjen e krimit.