HomeAktualitet

Shuhet pas tre ditësh zjarri në Sazani pas ndërhyrjes së Greqisë

Shuhet pas tre ditësh zjarri në Sazani pas ndërhyrjes së Greqisë

Neutralizohen vatrat e zjarrit në ishullin e Sazanit, pas një pune të pandërprerë nga toka dhe ajri. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Niko Peleshi, pasditen e 7 qershorit.

Peleshi bëri me dije se 122 efektivë të Forcave të Armatosura, nëntë mjete, dy anije u angazhuan në operacionin e nisur tri ditë më parë për të shuar flakët.

Ndërkohë mëngjesin e kësaj dite nisi edhe ndërhyrja nga ajri. Forcave në terren iu bashkua avioni “Canadair CL 415”, i ardhur si mbështetje nga Greqia, në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian.

“Situata në ishullin e Sazanit është nën kontroll”, theksoi Peleshi.

Ndërsa puna vijon për të shmangur totalisht mundësinë e rindezjes së flakëve për shkak edhe të bimësisë.

Kujtojmë se më herët u bë e mundur edhe neutralizimi i vatrave të zjarrit në njësinë administrative Orosh të Mirditës.

54 efektivë të Forcave të Armatosura iu bashkuan forcave zjarrfikëse në aksionin për shuarjen e vatrës së zjarrit.

Në operacionin që u finalizua në një kohë të shpejtë u bë e mundur shmangia e përhapjes së flakëve pranë banesave.

Nga ana tjetër Peleshi ka shprehur mirënjohjen për punën e të gjithë ekipeve të angazhuara.

Po ashtu iu bëri thirrje qytetarëve, turistëve që këtë sezon pritet të jenë të shumtë të bëjnë kujdes, pasi kjo verë parashikohet të jetë e nxehtë dhe rreziku nga zjarret mbetet evident.

“Falënderime të përzemërta Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së për mbështetjen, shtetit fqinj Greqisë për përgjigjen në kohë rekord me avionin Canadair”, e përmbyll Peleshi.