Në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme paralamentare. Procesi sipas Komisionit Qëndror Zgjedhor u zhvillua i qetë, pa episode të veçuara që mund të cënonin procesin.
Policia e Kosovës tha pas përfundimit të votimit në orën 19:00 se u proceduan 5 raste të cilat dëmtuan fletën e votimit.
Pjesëmarrja në zgjedhje erdhi në ulje duke shënuar një rënie me rreth 7% krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit 2025. Në 7 qershor sipas KQZ morën pjesë në votim 36.88% e votuesve përkundër 44.99% në fundvitin e kaluar.
Vetëvendosje dhe Albin Kurti marrin sërish mbështetjen më të madhe në votime, me rreth 43.05% të votave. Forcë e dytë mbetet PDK me 21.23% të votave e rritur shumë lehtë në vota. LDK paraprakisht llogaritet se ka fituar 17.68 % të votave me një rritje prej gati 4 përqind.
AAK ka siguruar sipas KQZ 7.10% me një rritje prej rreth 1.5%.
Rezultati duket se shënon një goditje për LVV.
Sipas organizatës ‘Demokracia në Veprim’, Lëvizja Vetëvendosje do të çojë në parlamentin e ri 48 deputetë, 9 më pak se dhjetorin e vitit të kaluar.
24 deputetë ka fituar sipas rezultatit paraprak PDK, e cila rritet me 2 vende në Parlament.
LDK, lista e së cilës u drejtua nga ish-Presidentja Vjosa Osmani, ka parë rritjen më të madhe nga partitë e opozitës. Ajo sipas DNV do të çojë në parlament 20 deputetë, 5 më shumë sesa legjislatura e fundit.
AAK gjithashtu është rritur sipas llopgarive të së njëjtës organizatë. Ajo do të formojë një grup prej 8 deputetësh, 2 më shumë sesa në parlamentin e kaluar.

