Një grup studentësh kanë pranuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për të dialoguar mbi shqetësimet e tyre për të cilat protestojnë. Rama ka postuar ditën e sotme pamjet nga tryeza e zhvilluar dje, ku thekson qartazi se dialogu është zhvilluar me “studentë që besojnë te protesta jo te gurët’.
Dialogu vjen pas një sërë ftesash të kryeministrit, të përsëritura përgjatë dy javëve me ‘sofrën’ e dialogut para godinës së qeverisë.
Ai bën me dije se debati nuk do të publikohet për momentin.
“Mirëmëngjes dhe me një videokartolinë nga dialogu me studentë që besojnë te protesta jo te gurët, me të cilët ramë dakord të mos e publikojmë hëpërhë debatin po vetëm pamjet, si edhe me falenderimin për Sara Bodon që e ka kthyer Agjencinë Kombëtare të Rinisë në një magnet për vajza e djem pa dallim bindjesh, ju uroj fundjavë të qetë”, shkruan Rama.
Dy javë më parë u lançua edhe platforma “Fol me kryeministrin” ku qytetarët mund të komunikojnë drejtpërdrejt me institucionet qeveritare për shqetësimet dhe problematikat e tyre.

