Burime të ZN.UA pretendojnë se kanë siguruar versionin më të fundit të planit të shumëdebatuar të paqes, një dokument i ndarë në katër seksione, i cili përshkruan marrëveshjen që Washingtoni po shtyn si zgjidhje të mundshme për luftën.
Thelbi i tij është i qartë: Ukraina detyrohet të bëjë lëshime të rënda territoriale dhe strategjike, në këmbim të garancive të paqarta sigurie dhe një rruge të përshpejtuar drejt Bashkimit Evropian.
Në qendër të planit është ngrirja e konfliktit dhe legjitimimi i kontrollit rus mbi disa rajone kyçe.
Së pari, Shtetet e Bashkuara propozojnë që Krimea, Luhansku dhe Donetsku të mbeten de facto nën kontrollin e Rusisë. Ndryshimet e mundshme të statusit do të lejohen vetëm përmes diplomacisë, duke mbyllur derën për rikthim me forcë të territoreve.
Plani përfshin krijimin e një zone të demilitarizuar në Donetsk, që mbulon rreth 30% të gjithë rajonit, ku të dyja palët do të tërheqin forcat përtej kufijve të saj. Në të njëjtën kohë, vijat aktuale të frontit në Zaporizhzhia dhe Kherson do të ngrihen, duke njohur kontrollin e sotëm rus në këto zona.
Megjithatë, dokumenti kërkon që Rusia të tërheqë trupat e saj nga të gjitha territoret e tjera të pushtuara, përveç pesë rajoneve të përmendura.
Një ndër pikat më të debatueshme është ajo që lidhet me sigurinë dhe arkitekturën euroatlantike. Sipas planit, NATO nuk do të zgjerohet më dhe nuk do ta ftojë Ukrainën të bashkohet. Asnjë trupë e aleancës nuk do të lejohet të vendoset në territorin ukrainas.
Ushtria e Ukrainës do të kufizohet në maksimum 800 mijë efektivë, duke reduktuar potencialin e saj afatgjatë mbrojtës.
Si kompensim, SHBA-të premtojnë garanci sigurie “të ngjashme” me nenin 5 të NATO-s, por pa fuqi detyruese ligjore – një formulim që lë shumë pikëpyetje mbi vlefshmërinë reale të mbrojtjes së premtuar.
Dokumenti parashikon rivënien nën operim të centralit bërthamor të Zaporizhzhias, nën drejtimin e një operatori amerikan, me Ukrainën që do të marrë 50% të energjisë së prodhuar.
Një tjetër pikë e rëndësishme është aspekti politik: zgjedhje të përgjithshme në Ukrainë “sa më shpejt të jetë e mundur” pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Në plan përfshihet edhe një element ekonomik tepër i diskutueshëm: shkrirja e pjesshme e aseteve ruse të ngrira në Perëndim. Një pjesë e fondeve do të përdoret për rindërtimin e Ukrainës, ndërsa pjesa tjetër mund të shkojë në projekte të përbashkëta SHBA-Rusi – një pikë që pritet të shkaktojë debat të fortë politik në Washington dhe kryeqytetet evropiane.
Në fund, dokumenti vendos një afat ambicioz për integrimin evropian: Ukraina të anëtarësohet në BE më 1 janar 2027, një ofertë që synon të balancojë pjesërisht lëshimet e kërkuara në frontin e sigurisë dhe territorit.
Plani, nëse konfirmohet dhe promovohet zyrtarisht, do të përfaqësonte marrëveshjen më gjithëpërfshirëse të propozuar që nga nisja e agresionit rus, por edhe kompromisin më të rëndë që Ukraina do të vihej nën presion të pranonte.

