Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i Donald Trump për misione speciale, ka reaguar në lidhje me një postim të kryeministrit Edi Rama në Hagë, pas vizitës te ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Grenell ka shpërndarë reagimin e Ramës dhe i jep të drejtë kreut të qeverisë shqiptare, teksa thekson se “Jack Smith është një turp”.
“Aleati i NATO-s dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e hedh poshtë çështjen ligjore të Jack Smith kundër ish-presidentit Thaçi në Hagë dhe turpëron europianët për lejimin e vazhdimit të kësaj padrejtësie. Jack Smith është një turp. Rama ka të drejtë”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Kujtojmë se më herët, kryeministri Rama e ka konsideruar procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së si një padrejtësi të rëndë në zemër të Europës.
Rama e përshkroi Gjykatën Speciale si godina ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare, duke theksuar se Thaçi u rrëmbye pa gjyq e as akuzë nga zyra e Presidentit të Republikës.
https://x.com/RichardGrenell/status/2001681522781233379?


