SPAK regjistron procedim penal për bizneset e familjarëve të Elisa Spiropalit

SPAK regjistron procedim penal për bizneset e familjarëve të Elisa Spiropalit

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka regjistruar një procedim penal pas një kallëzimi që lidhet me aktivitetin e bizneseve të bashkëshortit të Elisa Spiropalit, Salarjon Totaj, dhe familjarëve të tij.

Sipas raportimeve, kallëzimi është depozituar i shoqëruar edhe me dokumentacion nga Drejtoria e Tatimeve. Në të ngrihen dyshime për vepra penale që lidhen me evazionin fiskal dhe fshehjen e pasurisë.

Kallëzimi mësohet se ka kaluar fazën paraprake të shqyrtimit, duke bërë që të regjistrohet një çështje penale për veprat e dyshuara. Deri më tani, SPAK nuk ka dhënë një koment zyrtar lidhur me rastin dhe as nëse hetimet përfshijnë drejtpërdrejt rolin e Elisa Spiropalit.

Çështja vjen pas përplasjes publike mes deputetes socialiste dhe drejtuesit të Administratës Tatimore, Ilir Binaj. Një ditë më parë, Spiropali e akuzoi Binajn se ishte përdorur nga Belinda Balluku për të ushtruar presion ndaj saj dhe familjes, përmes kontrolleve në bizneset familjare.

Binaj i hodhi poshtë këto pretendime, duke deklaruar se, sipas tij, Spiropali dhe bashkëshorti i saj kishin kërcënuar inspektorët tatimorë pas kontrolleve, gjatë të cilave administrata kishte konstatuar shkelje të konsideruara si evazion i madh fiskal.

Regjistrimi i procedimit penal nuk përbën një vendim fajësie. Hetimet do të duhet të përcaktojnë nëse dyshimet e ngritura në kallëzim mbështeten nga provat dhe nëse ka përgjegjësi penale për personat e përfshirë./nga Vitjon Nina