Spiropali heq “maskën” nxjerr mllefet ndaj Ballukut dhe sfidon Ramën: Pushteti ynë nuk mjafton më

Spiropali heq “maskën” nxjerr mllefet ndaj Ballukut dhe sfidon Ramën: Pushteti ynë nuk mjafton më

Elisa Spiropali kritkoi sot mënyrën se si Edi Rama drejton Partinë Socialiste. Në daljen e saj publike ne Top Story, pas përplasjes në Asamblenë e PS-së, ish-ministrja përmendi me emër Belinda Ballukun, kundërshtoi procedurën e largimit të saj nga forumet dhe tha se vendimmarrja në parti është përqendruar deri në pikën ku mungojnë debati dhe kontrolli i brendshëm.

Spiropali u ndal te qëndrimi i saj për çështjen e Belinda Ballukut, duke pranuar se mosvotimi për heqjen e imunitetit të saj ishte një akt politik. Ajo theksoi se kundërshtimi nuk kishte të bënte me mbrojtjen personale të Ballukut, por me modelin e qeverisjes që, sipas saj, përfaqëson.

Spiropali u shpreh se Balluku është modeli më i keq i qeverisjes brenda forcës politike, por shtoi se ndien keqardhje për të në aspektin njerëzor.

“Dua ta them me plot gojën që, sa u takon fjalëve që janë thënë për antiligjshmëritë, për lidhjet me partnerët, këto janë mënyrat, besoj unë, më primitive për të adresuar problematika që nuk kanë lidhje me të.

Nëse mund ta them me emër, për Belinda Ballukun, dhe kam bërë një akt politik, mosvotimi për heqjen e imunitetit. Jo se dua të shoh një grua në pozita të tilla, por për shkak të moslegjitimitetit të modelit. Këtu fillon dhe mbaron problemi.

Njerëz që, siç ka dalë më pas, kanë qenë duke shpërndarë favore politike me emra, a ka vlerë emrat? Jo, vlerë ka modeli. Unë besoj se Belinda Balluku, që më del emri gjithkund me përballjen me vetveten dhe pse nuk e kam përmendur, është modeli më i keq i qeverisjes në forcën tonë politike dhe viktima më e freskët e një modeli që duhet të ndryshojë. Këtë kam menduar kur nuk kam shkuar të votoj. Kam keqardhje edhe për të, për faktin që është grua, për fëmijët, madje edhe për shpirtin e saj, lutem”, u shpreh Spiropali.

Spiropali kujtoi edhe përballjet me Sali Berishën në Kuvend, kur mbronte Ramën dhe qeverinë. Tha se ato beteja i kishte bërë me bindje, ndërsa sot beson se mes njerëzve që kishte mbrojtur kishte edhe nga ata që, sipas saj, “shpërndanin favore ekonomike me mesazhe”. Në intervistë ajo mohoi gjithashtu se kishte folur kundër Ballukut me partnerët ndërkombëtarë gjatë kohës kur drejtonte Ministrinë e Jashtme.
Spiropali e përshkroi ndërhyrjen e Ramës në Asamble si një fjalim personal të kryetarit. Sipas saj, për largimin e saj nga forumet nuk pati propozim, vendim formal apo votim. Ajo ironizoi sekretarin e përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosin, i cili kishte konfirmuar largimin, duke thënë se atij i duhej të shkonte nga një studio në tjetrën për të shpjeguar një “vendim pa vendim”.
Kritikën ndaj Ramës e çoi më tej duke vënë në pikëpyetje mungesën e zgjedhjeve të brendshme dhe të diskutimit me anëtarësinë. “Pushteti ynë nuk mjafton më as për besim, as për legjitimitet”, tha Spiropali. Në të njëjtën intervistë, ajo deklaroi se vazhdon t’i besojë vizionit të Ramës për integrimin europian të Shqipërisë.
Për largimin nga forumet, Spiropali tha se në Asamble nuk pati propozim, vendim formal apo votim. Ajo e quajti një “vendim pa vendim” dhe kritikoi sekretarin e përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosin, për mënyrën si e kishte shpjeguar publikisht. Klosi kishte konfirmuar se Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk do të ishin më pjesë e forumeve, ndërsa do të mbeteshin anëtarë të partisë. Ai pranoi se në Asamble nuk pati votim dhe tha se qëndrimi ishte bërë i qartë në mbyllje të diskutimit.

Spiropali u shpreh se ka zgjedhur të mos bëhet pjesë e debatit publik dhe e interpretimeve për atë që ndodhi në Asamble, duke theksuar se fjalimi i saj nuk kishte lidhje me diskutimet që janë bërë më pas në publik. Ajo kundërshtoi gjithashtu mënyrën se si është trajtuar çështja e pozicionit të saj në PS, duke thënë se nuk ka pasur as propozim dhe as vendim formal për përjashtimin e saj.

“Dua t’i jap fund telenovelës së diskutimeve dhe fjalëve të nxjerra nga Asambleja. Kam zgjedhur të mos i komentoj këto ditë, sepse fjala që mbajta në Asamble nuk ka asnjë lidhje me atë që është thënë në publik dhe ky nuk është faji juaj. Zgjodha të flas për një fjalim personal, madje as me statutin dhe zgjedhjet nuk kishte lidhje. Nëse aty në Asamble, në fytyrat tona, dukej se kishte shumëçka për të qarë, në këtë reflektim të mëvonshëm duket se ka shumëçka për të qeshur.

Unë kam folur shumë pak, nuk i kam dhënë ushqim debatit publik, ku është folur shumë për mua, është spekuluar dhe janë marrë vendime që nuk kanë asnjë lidhje logjike. Nuk pati as propozime, as vendime, as statut, sepse nuk ka më procese të tilla.

Jemi në vitin 2026 dhe partitë tona refuzojnë të respektojnë rregullat e lojës. Kjo nuk ka lidhje me PS-në, por duhet ta them këtë, sepse sot që flasim nuk do ta vë as udhëheqjen e partisë sime dhe as partinë time në pozitën qesharake që të duhet të vendosë për një vendim pa vendim.

Kam dëgjuar këto ditë Klosin dhe po ju them që më vjen keq, më vjen turp ta shoh sekretarin e përgjithshëm të PS-së që i duhet të shkojë studio më studio dhe të diskutojë për një vendim pa vendim dhe ‘përjashtim’”, u shpreh Spiropali.

E pyetur nëse ndihet e përjashtuar nga Partia Socialiste, Spiropali deklaroi se e konsideron nder të jetë anëtare e thjeshtë e kësaj force politike. Ajo theksoi se legjitimiteti i partisë buron nga anëtarësia dhe kritikoi abuzimin me pushtetin dhe manipulimin.

“E kam për nder të jem anëtare e thjeshtë e PS-së. Nga anëtari i PS-së buron legjitimiteti. Turp është të vjedhësh, të abuzosh me pushtetin, të manipulosh publikun… Dhe në të gjithë këtë propozim pa vendim dhe pa votim, unë nuk kam ndërmend të merrem dhe nuk dua të vë askënd në asnjë vështirësi. Shkova dje në Kuvend, se nuk di të jetë marrë ndonjë vendim në këtë forum. Nuk më lëviz qerpiku për Asamblenë apo forume të tjera”, tha ajo.