“Hebrenjtë në Vlorë që prej shekullit XIV”?! Xhufi: Dolën edhe partizanë në Shqipëri!

“Hebrenjtë në Vlorë që prej shekullit XIV”?! Xhufi: Dolën edhe partizanë në Shqipëri!

Historiani Pëllumb Xhufi ka folur për historinë e komunitetit hebre në Vlorë, duke theksuar se prania e tyre në qytet daton të paktën që prej shekullit XIV.

Sipas Xhufit, një valë e madhe hebrenjsh mbërriti në Vlorë rreth vitit 1500, pas dëbimit nga Spanja, Italia dhe vendet gjermanike, ku u pritën nga autoritetet osmane.

Historiani iu referua regjistrave osmanë të vitit 1520, sipas të cilëve rreth 40% e familjeve të regjistruara në qytet ishin hebreje, duke e kthyer Vlorën në një nga qendrat e rëndësishme të komunitetit hebre në rajon

Xhufi u shpreh se shqetësimi i qytetarëve lidhet kryesisht me mungesën e informacionit për projektin dhe vendndodhjen e tij, duke theksuar se ndërtimet në qendër të qytetit duhet të shoqërohen me transparencë dhe konsultim publik.

“Ky është mjedisi në të cilin doli dhe ky problem, veç të tjerëve. Kanë dalë disa probleme jo pa rëndësi këto dy-tre muajt e fundit që kanë të bëjnë dhe me linjat politike që ndjek qeveria ose kryeministri, të cilat krijojnë edhe shqetësim për pozicionimin e Shqipërisë në kuadrin e Bashkimit Europian dhe të Aleancës Atlantike, por edhe reflektime brenda mjedisit këtu në Shqipëri. Sigurisht për çështje të veçanta ka qëndrime dhe sfumatura të ndryshme. Tani për sa i përket atij muzeu: mua më thirri një grup intelektualësh dhe shkova me thënë të drejtën për të kuptuar se çfarë kishte që është ngritur ky problem.

Jo, këto janë pastaj… ka dhe ekzagjerime. Dakord. Unë pata një takim me intelektualë, me njerëz që merresh vesh. Ata i kanë pasur në Vlorë të paktën që nga shekulli i XIV që dalin. Jo ndonjë madhësi, por familje të caktuara: dikur 10 familje, dikur bëheshin 5. Në vitin 1500 rrotull, kur u dëbuan nga Spanja e nga Italia, por dhe këta ashkenazët nga vendet gjermanike të veriut, u dyndën, erdhën nga Otranto me varka, një fluks masiv. Kanë ndaluar te vendi që i ka mirëpritur, që nuk i ka përzënë.

Po edhe etërit e krishtërimit, Shën Pavli që mburremi ne, andej ka kaluar: rrugën më të shkurtër, më të realizueshme dhe me më pak rreziqe. Në atë moment, rreth vitit 1500, pati vërtet një dyndje; rreth 40% e popullsisë që del në një defter osman të hollësishëm janë hebrenj Po, por zona e Vlorës në atë kohë ishte një target, sepse e kishin pushtuar osmanët. Osmanët ishin në luftë me Venedikun, por kryesisht me Perëndimin: me Mbretërinë e Napolit, me Urdhrin e Maltës, me Papatin që kishte një flotë goxha të frikshme në atë kohë. Vlora sulmohej, pra nuk ishte një vend i qetë ku hebrenjtë të zhvillonin aktivitetin e tyre ekonomik, tregtar e financiar për të cilin shquheshin. Dhe ikën shumë shpejt.

Mbas 50 vjetësh një regjistër tjetër tregon që ishte përgjysmuar. Një pjesë kishin shkuar në Berat nga këta të Vlorës, se Vlora e Berati kanë qenë një njësi administrative që nga koha e Bizantit dhe në Perandorinë Osmane. Një pjesë iku në Selanik, një pjesë në Kostandinopojë – doganat e Kostandinopojës i kontrollonin hebrenjtë e Vlorës. Ata që qëndruan, qëndruan bashkë në qendër të qytetit. Kujtoj që në Mesjetë hebrenjtë i linin nëpër geto jashtë mureve të qyteteve, në periferi. Ata ishin bashkë në qendër të qytetit, bënin pjesë në këshillin e qytetit dhe shpeshherë shkonin si ambasadorë të sunduesit të radhës, qoftë shqiptar, serb në kohën e Dushanit, qoftë edhe osman. Kemi dokumente të botuara për këto.

Në Vlorë unë prandaj shkova, sepse dëgjova shprehje antisemite. Ajo aty ka qenë, lagje që thoshin dikur “e çifutëve”, por jo në sensin pezhorativ. “Çifut” e kemi marrë nga turqishtja; në Perandorinë Osmane hebrejtë janë pritur mirë. Madje sulltani i kohës, Bajaziti II, ka thënë: “Faleminderit për këtë pasuri që më sollët”, sepse ishin popull i punës e i mendjes. Mos harro, mbretërit e Francës financoheshin nga hebrejtë.

Te muzeumi: unë u informova. Shqetësimi i tyre ishte: “Ne s’dimë çfarë do bëjnë, kanë filluar të hapin gropën”. Jo te vendi ku ka qenë lagjja e hebrejve te zona e pazarit, por po e bëjnë te Muradia, ku paska qenë klubi “Labëria”, një ndërtesë aty. Ishin që ajo të bëhej tamam aty ku ka qenë rruga e tyre. Nga ana tjetër, mos harro, nga hebrejtë e Vlorës kanë dalë dhe partizanë. S’ka në Europë raste të tilla; kanë bërë rezistencë në geton e Varshavës kur panë që po bëheshin gati t’i masakronin, por partizanë dolën vetëm në Shqipëri: 11-12 dëshmorë. Ne kemi pasur hebrenjtë e Vlorës, si Ana Kohen që e quan atdheun e saj Shqipërinë.

Ne s’duhet ta humbim këtë bashkëjetesë. Por çdo gjë në kohën e duhur. Që është bërë në vitin 2024 thua ti, po kush e ka ditur në 2024? Unë flas për vete, nuk e dija. Kryesorja është: kur bëhet një ndërtesë e re në qendër të qytetit, ti je i detyruar të vësh projektin aty edhe ku do të dalë. Pse vlonjatët janë të revoltuar? Se u prish Sheshi i Flamurit, u kthye përmbys sheshi i Ismail Qemalit!

Para kësaj ka një histori 3-4 vjeçare e ribërjes: u prish shatërvani me qendrën që kishte simbolikë të veçantë, me katër globe që simbolizonte katër vilajetet. Dhe vetë Kristaq Rama me një grup skulptorësh, kanë bërë një monumenti të jashtëzakonshëm që ishte në piedestal, u ul dhe u vu në shesh, në dimension njeriu. Ismail Qemali doli njësoj me mua që kaloj aty! Ka një ngarkesë të madhe. Kaloja një ditë me gruan dhe m’u turrën, desh u zura se më identifikuan si pjesë e këtyre vendimeve.

Po konsultimin me qytetarët ku e ke? Qytetarët pyesin: çfarë do bësh dhe ku do e bësh? Aty ka dhe teori konspiracioni pikërisht se mungon informacioni. Deputeti i Vlorës, Bujar Leskaj, që ka qenë dhe ministër Kulture, doli dhe protestoi në mëngjes. Në darkë del shefi i madh politik dhe thotë “mos protesto”. Çfarë opozite kemi ne? Çfarë ka bërë mazhoranca që nuk e ka miratuar dhe opozita?”, tha ai.