HomeDiaspora

Kosovë/ Numërohen mbi 98% e votave në zgjedhjet e parakohshme: Kurti kryeson me 49.47%, ndiqet nga PDK me 21.08%, LDK forcë e tretë

Kosovë/ Numërohen mbi 98% e votave në zgjedhjet e parakohshme: Kurti kryeson me 49.47%, ndiqet nga PDK me 21.08%, LDK forcë e tretë

Pas numërimit të mbi 98 për qind të vendvotimeve në nivel vendi, Lëvizja Vetëvendosje rezulton me mbi 49 për qind të votave ka siguruar 55 ulëse në Kuvend.

Me përllogaritjen sipas formulës “D’Hondt”, Partia Demokratike e Kosovës me 21 për qind të votave ka 23 deputetë. Lidhja Demokratike ka 15 deputetë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 6 deputetë.

Në krahasim me zgjedhjet e shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje është rritur me të paktën 7 deputetë, nga 48 që kishte.

Ndërkaq, PDK-ja e humbi një deputet.

Humbësja më e madhe është LDK-ja që ka humbur pesë deputetë, nga 20 sa kishte.

AAK-ja në koalicion me Nismën ka pasur 8 deputetë.

Kjo përllogaritje vlen pa u numëruar votat nga postë dhe ato në përfaqësi diplomatike.

20 ulëse të tjera në Kuvendin e Kosoës ndahen në 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet tjera. Për të pasur shumicën mjaftojnë 61 deputetë.

Në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare këtë të dielë më (28.12.) të dytat brenda këtij viti, pasi për më shumë se dhjetë muaj, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit, partitë politike nuk arritën të krijojnë institucionet e reja

Sipas KQZ-së, për zgjedhjet e 28 dhjetorit garuan 22 subjekte politike, prej tyre janë 18 parti politike, 3 koalicione parazgjedhore, si dhe 2 iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur. Ndër partitë kryesore që garuan në këto zgjedhje ishin, Lëvizja Vetëvendosje, VV, Partia Demokratike e Kosovës, PDK, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, dhe nga radhët e serbëve të Kosovës Lista Srpska, që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Në këto zgjedhje garuan gjithsej 1180 kandidatë për deputetë që i ka certifikuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Rreth 67 për qind ishin burra, ndërkaq rreth 33 për qind janë gra. Qendrat e votimit u hapën nga ora 07:00 dhe u mbyllen në 19:00.