HomeMetro

Historia tragjike e Loni Willison: Modelja që dikur ishte gruaja e një ylli të Hollywoodit dhe zbukuronte kopertinat e revistave, tani e pastrehë që mbledh kanaçe rrugëve

Historia tragjike e Loni Willison: Modelja që dikur ishte gruaja e një ylli të Hollywoodit dhe zbukuronte kopertinat e revistave, tani e pastrehë që mbledh kanaçe rrugëve

ikur një fytyrë e njohur në kopertinat e revistave të fitnesit dhe e martuar me një yll të Hollivudit, për botën e jashtme jeta e Loni Willison dukej perfekte. Por pas shkëlqimit të fotove dhe tapeteve të kuq, fshihej një realitet i errët që sot ka përfunduar në një tragjedi njerëzore.

Ish-modelja 40-vjeçare është fotografuar së fundmi duke jetuar në rrugët e Los Angelesit, e vetme, e rraskapitur dhe pothuajse e panjohshme nga pamja e saj dikur glamuroze. Me një karrocë pazari të mbushur me pak sendet që i kanë mbetur, me sy të fryrë, cigare në gojë dhe mungesë të disa dhëmbëve, pamjet kanë tronditur opinionin publik. Lajmi është raportuar nga The Sun.

Loni ka disa vite që është e pastrehë. Ajo është parë shpesh duke kërkuar ushqim në kazanët e plehrave, një kontrast i fortë me jetën luksoze që bënte dikur pranë ish-bashkëshortit të saj, aktorit të “Baywatch”, Jeremy Jackson.

Çifti u martua në vitin 2012 në një ceremoni romantike në një plazh në Kaliforni dhe për një kohë të shkurtër u konsideruan si një nga dyshet më të bukura të Hollywood-it. Jeremy, i njohur për rolin e Hobie Buchanan, djali i personazhit të David Hasselhoff, kishte shijuar famën që në fëmijëri. Ndërsa Loni ishte një modele në ngjitje, e angazhuar edhe si asistente e një kirurgu plastik.

Por pas dyerve të mbyllura, martesa e tyre ishte larg përrallës. Debatet e shpeshta, abuzimi me alkoolin dhe historia e varësisë nga droga e aktorit e çuan lidhjen drejt kolapsit. Në vitin 2014, policia u thirr në shtëpinë e tyre pas një incidenti të rëndë, ku Loni pretendoi se ishte dhunuar fizikisht nga bashkëshorti, duke pësuar brinjë të thyera dhe lëndime të shumta. Megjithatë, ajo zgjodhi të mos ngrinte akuza.

Pas ndarjes, jeta e Lonit mori tatëpjetën. Ajo humbi punën, u përball me probleme të rënda të shëndetit mendor dhe përfundoi në borxhe. Në vitin 2016 humbi apartamentin dhe makinën, duke mbetur pa strehë. Në rrugë, varësia nga metamfetamina dhe alkooli u thellua edhe më shumë.

Në intervista të mëparshme, Loni ka bërë deklarata tronditëse, duke treguar se qëllimisht mundohet të duket “sa më e pistë” për të shmangur abuzimet seksuale në rrugë. Ajo ka pranuar se nuk bënte dush për më shumë se një vit dhe i kishte prerë vetë flokët për të mos tërhequr vëmendje.

“Nuk dua që askush të më ndihmojë. Kam ushqim, kam një vend për të fjetur. Mund të jetoj vetë”, ka deklaruar ajo për The Sun, duke refuzuar çdo ofertë për rehabilitim apo ndihmë nga miqtë.

Një nga shoqet e saj, Kristin Rossetti, u përpoq ta nxirrte nga rruga duke e strehuar në hotel dhe duke i ofruar rehabilitim, por Loni u largua dhe u zhduk për vite me radhë. “Nuk mund ta detyrosh dikë të pranojë ndihmën”, u shpreh ajo e dëshpëruar.

Ndërkohë, Jeremy Jackson ka arritur të qëndrojë larg drogës dhe sot është aktiv në skenën e fitnesit në Los Angeles, duke postuar foto të jetës së tij të re në rrjete sociale. Ai ka refuzuar të komentojë publikisht për gjendjen e ish-bashkëshortes.

Historia e Lonit mbetet një nga shembujt më të dhimbshëm se si fama, bukuria dhe jeta luksoze mund të zhduken brenda pak vitesh, duke lënë pas një betejë të ashpër për mbijetesë. Miqtë e saj shpresojnë që pamjet e fundit tronditëse të jenë një thirrje për ndihmë – ndoshta e fundit – që Loni të marrë kujdesin për të cilin ka aq shumë nevojë.