Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të martë konferencën e fundit për mediat për vitin 2025, e cila zgjati rreth tre orë, ku trajtoi çështje që lidhen me qeverisjen, funksionimin e shtetit dhe raportet institucionale.
I ftuar në emisionin “Ora e Fundit” në ABC News, analisti Frrok Çupi vlerësoi se Kryeministri u largua nga klishetë e zakonshme të fundvitit, duke mos u ndalur te shifrat formale, por duke u fokusuar te ajo që ai e cilësoi si “qeverisje e shkathët”.
Sipas Çupit, theksi kryesor i Ramës ishte raporti mes pushteteve, veçanërisht roli i sistemit të drejtësisë dhe balanca institucionale në një shtet demokratik.
“Kryeministri doli nga klishetë e përvitshme. Nuk ra në pozitat që të fliste me shifra të mërzitshme, të cilat njerëzit i dinë tashmë. Rama kaloi tek ajo që quhet qeverisja e shkathët, që aplikohet në vendet më të zhvilluara të botës”, u shpreh Çupi.
Ai shtoi se Kryeministri ngriti një problematikë që, sipas tij, ka dominuar vitin 2025: raportin e institucioneve të drejtësisë me pushtetet e tjera të vendit.
“Rama solli një problem shumë të madh, raportin e trupave të drejtësisë me trupat e tjerë të shtetit. Janë cenuar disa parime themelore të shtetit demokratik dhe është e nevojshme radhitja e pushteteve. Burimi i pushteteve është populli, sovrani”, tha analisti.
Çupi theksoi se, sipas tij, vitet e fundit është krijuar një “tabu” rreth sistemit të drejtësisë, veçanërisht SPAK-ut dhe prokurorëve, duke paralajmëruar për rrezikun e tejkalimit të kompetencave.
“Mund të kishim një tragjedi nëse parlamenti dhe institucionet nuk do të kishin vendosur një barrikadë ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që synonin të merrnin pushtetin. Ndalja e këtij vrulli është e domosdoshme për risistemimin e shtetit”, u shpreh ai.
Sipas Çupit, veprimi i parlamentit për të vendosur kufij institucionalë është një hap i guximshëm, ndërsa shtoi se një pjesë e problematikave lidhen edhe me vendime të mëparshme të mazhorancës, e cila, sipas tij, “u hapi rrugë prokurorëve dhe gjyqtarëve”.

