HomeSport

Mposhti Atleticon e Madridit 2-1 në Jeddah, Real Madrid në finalen e Superkupës së Spanjës

Mposhti Atleticon e Madridit 2-1 në Jeddah, Real Madrid në finalen e Superkupës së Spanjës

Real Madrid do të luajë finalen e Superkupës së Spanjës ndaj Barcelonës, pasi mposhti Atletico Madridin me rezultatin 2-1 në gjysmëfinalen e zhvilluar në Jeddah të Arabisë Saudite.

Skuadra e drejtuar nga Xabi Alonso e nisi ndeshjen në mënyrë perfekte, duke kaluar në avantazh që në minutën e dytë. Federico Valverde realizoi një goditje dënimi spektakolare, e cila kaloi murin mbrojtës dhe përfundoi në rrjetë, pa i lënë asnjë mundësi reagimi portierit Jan Oblak.

Pas golit të shpejtë, “Los Blancos” u tërhoqën disi më thellë, duke kontrolluar lojën dhe duke rrezikuar me kundërsulme. Atlético Madrid u përpoq të reagonte dhe krijoi disa raste të rrezikshme, por Thibaut Courtois ishte vendimtar me pritje të njëpasnjëshme, duke ruajtur avantazhin e Real Madrid në pjesën e parë.

Në fillimin e pjesës së dytë, Real Madrid gjeti edhe golin e dytë. Një pasim i saktë i Federico Valverde nxori të vetëm Rodrygo Goes, i cili u tregua i qetë përballë Oblak dhe dërgoi topin në rrjetë, duke dyfishuar rezultatin në minutën e 55-të.

Reagimi i Atlético Madrid ishte i menjëhershëm. Vetëm tre minuta më vonë, Alexander Sorloth shënoi me kokë pas një krosimi nga krahu, duke rihapur ndeshjen dhe duke i dhënë shpresë skuadrës së drejtuar nga Diego Simeone.

Në minutat e mbetura, Atletico Madrid ushtroi presion të vazhdueshëm në kërkim të barazimit, por mbrojtja e Real Madrid dhe pritjet vendimtare të Thibaut Courtois i rezistuan sulmeve. Rasti më i mirë erdhi në fundin e ndeshjes, por gjuajtja e Marcos Llorente përfundoi jashtë.

Me këtë fitore, Real Madrid siguron një përballje të madhe në finale ndaj Barcelonës, e cila më herët mposhti Athletic Club me rezultatin e thellë 5-0. Finalja e Superkupës së Spanjës do të luhet të dielën në stadiumin “King Abdullah Sports City”, në Jeddah, në një tjetër El Clasico që pritet të dhurojë spektakël.