VIDEO/ Protesta del nga kontrolli: Sulmohet banka, flakët rrezikojnë pallatin!

VIDEO/ Protesta del nga kontrolli: Sulmohet banka, flakët rrezikojnë pallatin!

Protesta para Ministrisë së Arsimit është përshkallëzuar më tej, me akte që kanë kaluar nga përplasjet me Policinë në dëmtimin dhe djegien e pronës publike e private.

Në Rrugën e Durrësit, një grup protestuesish të maskuar ka sulmuar një bankë të nivelit të dytë, duke goditur xhamat me sende të forta dhe duke i vënë flakën ambienteve të brendshme. Pamjet tregojnë se zjarri është përhapur brenda bankës, ndërsa zjarrfikëset kanë ndërhyrë menjëherë.

Situata bëhet edhe më shqetësuese për faktin se banka ndodhet ngjitur me një pallat banimi. Përhapja e flakëve në një zonë të tillë nuk rrezikon vetëm biznesin e sulmuar, por potencialisht edhe banorët dhe pronat përreth.

Gjatë së njëjtës protestë janë regjistruar edhe dëmtime të tjera ndaj pronës publike, përfshirë shkuljen e kangjellave, tabelave dhe ndriçuesve të rrugës, ndërsa persona të maskuar kanë hedhur gurë, fishekzjarre dhe molotovë drejt Policisë dhe godinës së Ministrisë së Arsimit.

Akte të tilla e zhvendosin protestën nga ushtrimi i një të drejte qytetare drejt një situate ku rrezikohen persona që nuk kanë lidhje me tubimin, banesa, biznese dhe punonjës që ndodhen në zonë.

Policia ka vijuar ndërhyrjen me ujë dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës, ndërsa disa persona janë shoqëruar.