HomeBota

Planet e Trump për aneksimin e Groenlandës, ministria daneze e Mbrojtjes: Do detyrohemi të përdorim armët!

Planet e Trump për aneksimin e Groenlandës, ministria daneze e Mbrojtjes: Do detyrohemi të përdorim armët!

Ministria e Mbrojtjes e Danimarkës ka konfirmuar se trupat daneze janë të detyruara ligjërisht të përdorin armët, edhe pa urdhër të drejtpërdrejtë, në rast se Groenlanda do të pushtohej me forcë.

Ky detyrim bazohet në një direktivë të vitit 1952, e cila, sipas ministrisë, mbetet ende në fuqi.

Deklarata vjen mes sinjaleve të përsëritura nga administrata e Donald Trump për marrjen nën kontroll të Groenlandës, territor autonom i Danimarkës. Sipas Shtëpisë së Bardhë, presidenti po shqyrton disa opsione, përfshirë edhe përdorimin e forcës ushtarake, një skenar që do ta vendoste NATO-n përballë një situate të paprecedentë: përplasjes mes dy vendeve anëtare.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen paralajmëroi se çdo sulm amerikan ndaj një aleati të NATO-s do të minonte themelet e aleancës dhe arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare të ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore.

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se po shqyrtohen alternativa të ndryshme për “përvetësimin” e Groenlandës. Zëvendësshefi i kabinetit të Donald Trump, Stephen Miller, deklaroi se SHBA do të vepronte “si superfuqi”, ndërsa Sekretari i Shtetit Marco Rubio u përpoq të ulë tonet, duke theksuar se blerja mbetet një nga opsionet në shqyrtim.

E themeluar në vitin 1949 për të frenuar agresionin sovjetik, NATO sot ka 32 vende anëtare. Pas më shumë se 75 vitesh, roli i aleancës mbetet i rëndësishëm por vazhdimisht i sfiduar. E ndërsa tensionet gjeopolitike rriten, NATO gjendet përballë një pikëpyetjeje kyçe: do të mund të ruajë unitetin apo do të pësojë fraktura.