HomeBlog

Një krim shtetëror monstruoz që ulërin për drejtësi edhe pas më shumë se 30 vjetësh heshtje kriminale

Një krim shtetëror monstruoz që ulërin për drejtësi edhe pas më shumë se 30 vjetësh heshtje kriminale

Nga Ilir Demalia

Sot, në Kune–Vain të Lezhës, në territorin e një kampi torture të shtetit shqiptar, ku Shërbimi Informativ Kombëtar (SHIK) i drejtuar nga Bashkim Gazidede, gjatë qeverisjes së parë të Partisë Demo(n)kratike, u shndërrua në polici politike, duke rrëmbyer, torturuar dhe zhdukur kundërshtarë të Presidentit Sali Berisha, vetëm sepse guxonin të flisnin lirshëm.

Këto godina të shkatërruara dhe të mbuluara nga ferra nuk janë rrënoja të zakonshme – janë varre pa kryq të krimit shtetëror. Nëse këto mure do të flisnin, do të binte maska e demokracisë së rreme shqiptare dhe shoqëria do të përballej me tmerrin e një regjimi kriminal që veproi në emër të shtetit.

Këtu u rrëmbye, u torturua dhe u zhduk Remzi Hoxha, trupi i të cilit vazhdon të mbahet peng nga heshtja dhe frika. Zhdukja e tij nuk ishte aksident, as teprim individual, por akt i qëllimshëm shtetëror. Arsyeja ishte një: Remzi Hoxha konsiderohej dëshmitari i vetëm i një takimi sekret midis përfaqësuesve të Slobodan Millosheviçit, agjentit rus Grigorivi dhe të ashtuquajturës “Legendë”, ku përfshihej Sali Berisha, në Maqedoni — pikërisht në kohën kur Millosheviçi po kryente spastrim etnik dhe gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Ky krim nuk është zbardhur sepse drejtësia është kapur, sepse autorët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të mbrojtur politikisht. Edhe kur instancat ndërkombëtare konstatuan dështimin e hetimeve dhe përgjegjësinë shtetërore, Shqipëria zgjodhi të heshtë, të amnistojë krimin dhe të rehabilitojë autorët.

Një shtet që fsheh kufomat, që mbron torturuesit, që shantazhon dëshmitarët dhe që ndërton karriera politike mbi krim, nuk mund të quhet demokraci. Është një regjim i kalbur nga brenda.

Pa zbardhjen e krimeve shtetërore, pa dënimin e urdhërdhënësve dhe pa drejtësi për Remzi Hoxhën dhe dhjetëra viktima të tjera, Shqipëria do të mbetet një shtet fasadë.
Pa drejtësi për të shkuarën, nuk ka as të tashme, as të ardhme.