Me numrat aktualë të shifrave të paraburgimit, Shqipëria nuk i garanton qytetarëve të vet të drejtën për liri dhe siguri personale dhe kjo situatë duhet të marrë fund sa më parë. Ky ishte mesazhi i disa prej emrave më të njohur të drejtësisë evropiane, të angazhuar nga qeveria shqiptare, në procesin e konsultimeve për të adresuar problematiken e paraburgimit, për të cilën kritikat kanë qenë të shumta edhe nga institucionet perëndimore.
Dy dokumente, gjithsej 60 faqe, që Report Tv ka siguruar janë përgatitur nga Theo Byl, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Antuerp në Belgjikë, Nicola Lettieri zv. Zëvendësprokuror i Përgjithshëm në Gjykatën e Lartë të Kasacionit të Italisë dhe Filipe César MARQUES, gjyqtar portugez, drejtues i Shoqatës së Magjistratëve Evropianë për Demokraci dhe Ligj.
Dy të parët i prezantuan raportet në një tryezë të thirrur nga ministri i Drejtësisë Lamallari, dhe apeli ishte i qartë: Paraburgimi duhet të jetë masë e jashtëzakonshme, jo praktikë rutinë, kufijtë ligjorë të të cilit duhen përcaktuar pa ekuivokë.
“Përgjigja ndaj këtij problemi nuk është për të ndërtuar burgje të reja, se mund të ndërtoni sa të doni burgje, por përgjigja është në politikën penale dhe në reagimin, përgjigjen që i jep pra një vend këtyre çështjeve. Autoritetet gjyqësore kanë barrën që të argumentojnë qartë se pse ky person duhet të mbahet në paraburgim”, tha Gianluca Esposito, drejtor i Përgjithshëm i të Drejtave të Njeriut dhe Sundimit të Ligjit i Këshillit të Evropës.
“E gjithë kjo çështje është shumë delikate, është komplekse, ka nevojë për t’u diskutuar, për të dëgjuar, por edhe për të marrë përgjegjësi”, u shpreh belgu Theo Byl, gjyqtar apeli.
Rekomandimi i parë i rëndësishëm: eliminimi i disa veprave penale për të cilat mund të kërkohet masa e paraburgimit dhe specifikimi se kur mund të aplikohen masat e tjera shtrënguese.
Për këtë ekspertët e KiE rekomandojnë shtimin e 3 paragrafëve në nenin 232 të Kodit të Procedurës Penale në Shqipëri. Mes të cilave dispozita që përcakton se “paraburgimi mund të urdhërohet vetëm për krime, qofshin të përfunduara ose të tentuara, për të cilat është përcaktuar një afat maksimal burgimi prej jo më pak se pesë vjetësh”
“Vumë re se nuk ka një prag, një kufi të shprehur të veprës penale për t’u ndaluar. Prokurori mund ta kërkojë këtë gjë gjyqtari mund ta miratojë masën e sigurimit për çdo lloj vepre penale. Kjo nuk është koherente me të njëjtin kod në Shqipëri, sepse për shembull neni 241 parashikon se masat e ndërmjetme apo ndaluese që janë më pak ndëshkuese sesa masat e paraburgimit mund të zbatohen vetëm në ato procese që përfshijnë vepra penale të ndëshkuara me ligj me dënim prej deri në një vit. Nuk është pra koherente që masat më pak ndëshkuese kanë një sërë kushtesh zbatimi sesa veprat më të rënda për masat parandaluese”, nënvizon Nicola Lettieri, zv. prokuror i përgjithshëm në Gjykatën e Lartë italiane
“Gjëja e parë për të cilën duhet të punojmë kur ne po përpiqemi ta trajtojmë këtë problem është se cilat çështje duam që mundësisht të shkojnë për paraburgim. Pra kjo ky është një aspekt i rëndësishëm. Pra ju si autoritet do të vendosni për tipologjinë e çështjeve, pra nuk mund ta marr unë këtë vendim, por për tipologjinë e çështjeve, për shembull, të cilat nuk do të lejojmë ligjërisht që të ketë paraburgim. Ne mendojmë që një vjedhje e thjeshtë nuk duhet të jetë të çojë asnjëherë në paraburgim. Pra, mund të ketë mundësi për vepra të tjera penale”, thekson Theo Byl, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Antuerp në Belgjikë,
Në nenin 228 të Kodit të Procedurës Penale që flet për “Kushtet për caktimin e masave të sigurimit personal” duhet të hiqet togfjalëshi “dyshim i arsyeshëm” dhe të zëvendësohet me fjalët që një masë sigurie vendoset kur ka “baza të arsyeshme për prova apo indicie”.
Nga ana tjetër asnjë gjykatë nuk mund të japë një masë sigurie “arrest me burg”, pa një arsyetim të plotë dhe të paekuivokë se pse masat alternative nuk janë të mjaftueshme. Arsyetimi duhet të jetë i individualizuar, i lidhur me rastin specifik. Vendimet “copy-paste” konsiderohen jo në përputhje me standardet e GJEDNJ-së thonë ekspertët.
“Diçka tjetër ishte shmangja e formulave stereotipike. Pra, ne sugjerojmë dy ndryshime. Ndryshimi i parë, pra dy ndryshime në nenin 245. I pari është që kur kërkohet paraburgim, gjykata duhet të tregojë arsyet specifike përse e konsideron këtë ndalim të përshtatshëm ose jo duke e përcaktuar ato në nen 137. Çfarë nënkupton kjo? Gjykata nuk mund të kufizohet në miratimin e kësaj mase dhe duhet të thotë shprehimisht se pse masat alternative nuk janë të përshtatshme. Pra nuk ka masa alternative të cilat mund të zbatohen”, vijon italiani Lettieri.
“Çështja e dytë ose shtylla e dytë është një arsyetim më i mirë i vendimit. Për shembull edhe ne përpiqemi ta bëjmë këtë që kolegët kanë përgjegjësinë dhe mbajnë përgjegjësi që arsyetimi dhe kërkesat për këtë lloj arsyetimi dhe zgjatja e paraburgimit të jenë pra kërkesa të përmirësuara. Për shembull kur i shoh shifrat në Shqipëri sigurisht që ka shumë më shumë se ç’ duhet në paraburgim, por në të njëjtën kohë edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka qenë shumë e qartë për Shqipërinë edhe për kohëzgjatjen e paraburgimit dhe këtu duhet të kemi arsyetime të përmirësuara pse ka qenë e nevojshme kjo gjë”, thotë belgu Theo Byl, gjyqtar apeli.
Pjesë nga dokumenti, ku flitet për vendim të arsyetuar
Vendimi i marrë nga gjykata së bashku me arsyetimin e tij duhet të jetë i apelueshëm në një gjykatë më të lartë. Edhe afatet e shqyrtimit në gjykatë duhet të jenë më të gjata, për të ndihmuar procesin.
“Gjyqtari në fakt nuk mund t’i referohet vetëm kërkesës që vjen nga prokurori, por ai ose ajo duhet të dëshmojë, duhet të provoj se kryen një vlerësim, një shqyrtim autonom dhe në qoftë se kjo nuk bëhet atëherë gjykata tjetër e një shkalle më të lartë mund ta masë. Kur bëhet fjalë për këtë për ankimin e masës së ndalimit edhe në apel pra duhet të kemi një proces, i cili është efektiv. Për shembull duhet të kemi një proces i cili në vend të pesë ditëve do të duhet të jetë 10 ditë. Mendoni për shembull një dosje që është shumë komplekse me shumë faqe, me shumë të dyshuar e kështu me radhë”, nënvizon Nicola Lettieri, zv. prokuror i përgjithshëm në Gjykatën e Lartë italiane
Edhe afati maksimal i paraburgimit duhet të ulet, nga tre vjet që është sot në legjislacionin shqiptar. Për shembull për vepra më pak të rënda mund të shkojë deri në 1 vit, ndërsa për vepra të rënda mund të ulet në 2 vite.
Masat alternative janë zgjidhja sipas ekspertëve të huaj.
“Sigurohuni që alternativat të ekzistojnë. Për shembull ne kemi monitorim elektronik, funksionon, përdoret me pothuajse 50% të çështjeve. Shumë lirime që ne bëjmë e në veçanti për shembull në hetime që kanë zgjatur në kohë shumë është monitorimi elektronik dhe ne për shembull po mendojmë dhe kjo edhe pasi kemi bërë vlerësimin tonë dhe nuk është pjesë e vlerësimit, por ne po mendojmë që në Belgjikë të bëjmë një gërshetim të kushteve dhe monitorimit elektronik”, deklaron gjyqtari belg Byl.
Për masat alternative veçohen zbatimi efektiv i monitorimi elektronik, i garancisë pasurore apo edhe sistemi efikas i survejimit. Duhet ndërtuar besimi i publikut dhe i sistemit te këto masa thonë ekspertët e Këshillit të Evropës, teksa rekomandojnë edhe përdorimin më të gjerë të arrestit shtëpiak, detyrimit për paraqitje periodike apo ndalimit të largimit nga vendi.
Edhe paraburgimi i llogaritur me 1 ditë e gjysmë duhet të ndryshojë. Duhet barazuar ulja e dënimit përfundimtar me ditët e kaluara në paraburgim, për të eliminuar zvarritjet nga ana e të akuzuarve.
Pjesë nga dokumenti, masat alternative
Paraburgimi duhet të rishikohet rregullisht nga gjykata dhe barra e provës për vazhdimin e paraburgimit i takon autoriteteve, jo të pandehurit. Madje në dokument ekspertët e huaj thonë se është prokurori që jo vetëm të hetojë por e ka për detyrë që të kërkojë prova në favor të personit nën hetim
“Prokurori ka detyrën të kërkojë gjithashtu prova në favor të personit nën hetim dhe të informojë menjëherë gjykatën për këtë, me qëllim që të shmangë vazhdimin e një mase paraprake të pabazuar ose jo më të nevojshme.”, thuhet në dokumentin e Këshillit të Evropës.
Në fund ekspertët evropianë nuk lënë pa përmendur edhe domosdoshmërinë e përshpejtimit të hetimeve, që në Shqipëri zgjasin pa fund. Ata sugjerojnë rritjen e kapacitetit institucional dhe numrin e ekspertëve në prokurori, gjyqësor dhe polici për të përshpejtuar hetimet. Në fund edhe një mesazh kuptimplotë: zgjidhja nuk është ndërtimi i më shumë burgjeve, por ndryshimi i politikës penale dhe mentalitetit të trashëguar nga e kaluara.
“Asnjë prej këtyre ideve nuk është shkop magjik që do të zgjidhë çdo lloj problemi, por mendoj që një kombinim i të gjitha këtyre ideve së paku mund të jetë ushqim apo një shkëndi për të menduar, për gjetur zgjidhje të cilat janë të ngulitura në realitetin shqiptar dhe kjo do të jetë puna juaj”, tha Gianluca Esposito, drejtor i Përgjithshëm i të Drejtave të Njeriut dhe Sundimit të Ligjit i Këshillit të Evropës.
(Në anglisht) DRAFTI I PËRGATITUR NGA EKSPERTËT E KiE
(Në shqip) TË GJITHA REKOMANDIME E KiE PËR PARABURGIMIN

