Nga Frrok Çupi
Kryeministri duhej të ishte fshatar i ardhur nga ku ta dish. Siç i kemi pasur dy a tre kryeministra gjatë tre dekadave të fundit dhe të gjithë kryeministrat në periudhën e diktaturës. Enveri nuk quhet kryeministër, ishte më shumë.
Po të ishte Edi Rama një fshatar nga Çorrush apo nga Vicitoli, me siguri nuk do të kishim rënë në këtë rrezik me foletë e gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Fëmijëve të fshatit, përfshi edhe mua, prindërit u jepnin mësime me rreziqe, çdo mbrëmje. Iu thonin të ruheshin nga shkëmbi, nga hardhuca, nga lumi, nga gjarpri…
Me grerëzat ishte tregimi më i shpeshtë.
“Kur shihni një fole grerëzash në degën e manit, mos e ngacmoni!”
-Do të shikoni një si top i vogël ngjitur në degë. Do të shikoni sikur fle, sikur nuk ka pasur jetë që në fillim; asgjë as hyn as del. Kësaj ruhuni!- porosisnin prindërit.
Foleja e grerëzave është më dinake se foleja e dhelprës dhe se gjarpri . Grerëzat ‘flenë’ gjithë jetën, por edhe asnjëherë nuk flenë. Po e preke (ç’mu kujtua fraza e Berishës ‘po preke gjënë më të vogël, kam snajper në dorë’)… Por po preke në folenë e grerëzave, atëherë ke prekur rrezikun. Dhjetëra grerëza të nxjerrin sytë.
Këtë po përjeton Edi Rama që preku folenë e gjykatësve dhe të prokurorëve. Nuk e dinte përrallën e fshatit, ky është fati i keq. Kryeministrat nga fshati e kanë grirë vendin, me çfarë kishte ky vend. Këtë e kanë arritur duke u bërë miq me grerëzat.
Çfarë bëri Edi Rama, si kryeministër?
Qysh para disa vitesh trokiti në folenë e tyre të pistë dhe iu kërkoi që të pastrohej shtëpia e Drejtësisë. Aty kishte bashkëpunëtorë krimi, vetë kriminelë, vrasës të të drejtës, trafikantë njerëzish, trafikantë e mafiozë të çdo lloji. Më të shumtët njerëz që shisnin e blinin të drejtat njerëzore dhe pasuroheshin për vete.
E gjitha kjo është. Se ata janë të pareformueshëm. O zhvendoset krimi nga foleja, o të riparosh folenë e të lësh krimin brenda- kjo nuk bën. Po ku ta dinte Rama, që nuk kishte idenë e përrallës në fshat.
Ndërsa populli, në shumicë e ka vuajtur prej 30 vjetësh padrejtësinë që i kanë bërë prokurorët dhe gjykatësit.
Reforma që preku rrezikun e bëri këtë duke menduar se foleja ishte një gjë e brishtë thuajse e vdekur. Por kjo ishte vetëm dukja. Brenda folesë, ku hahen miliona të drejta njerëzore, aty ka tension shumë të madh. Aty secili nga gjyqtarët e prokurorët, si grerëza, mbrojnë copën e tyre. Copa është e majme. Njerëzit më të korruptuar të shoqërisë janë këta të Drejtësisë.
Gabimi i dytë i Reformës, që kësaj here nuk erdhi nga fshati, ishte se e goditi folenë e grerëzave. Saliu dhe Iliri qeshën kur e panë, sepse të dy e kishin mësuar në fshat që ‘mos i sulmo, bëhu me ta!’.
Sapo u sulmua foleja e drejtësisë së plepave dhe e korruptuar, atëherë grerëzat u bënë bashkë, të gjithë në sulm kolektiv. Sot kemi dy shoqata gjyqtarësh që kanë vënë përpara Parlamentin dhe Qeverinë e po u kërkojnë haraç gjithë pushtetin. Ose do t’u nxjerrin sytë.
Nuk është aq e thjeshtë puna se “duam rroga sa presidenti i Amerikës”. Jo. Duan gjithë pushtetin; duan gjithë të drejtën njerëzore që ta grinë në folenë e tyre; duan të mos ketë më përralla si Kuvend, Zgjedhje, Qeveri, Ushtri, Siguri.
“Njerëz, këto mbajini për vete- thërrasin grerëzat- Ne duam folenë tonë në degën e manit”.

