HomeAktualitetDebat

Beteja e Edi Ramës me drejtësinë nuk ka nevojë për spektakël, por për reforma

Beteja e Edi Ramës me drejtësinë nuk ka nevojë për spektakël, por për reforma

Nga Mero Baze

Kryeministri Edi Rama është duke justifikuar dështimin e Reformës në Drejtësi dhe ky është një gabim më i madh se ajo që ka bërë pushteti i tij me vetë Reformën.

Debatet e tij publike me shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe çdo zëdhënës të tyre, apo gazetare të sponsorizuar nga OJQ e Reformes, janë përpjekje për t’i ikur përgjegjësisë që ai ka si kryeministër dhe si kryetar i shumicës parlamentare prej vitit 2013, për atë që ka ndodhur me drejtësinë në Shqipëri.

Debatet janë jo vetëm pa vlerë, por edhe të rrezikshme, pasi krijojnë idenë që ai po sulmon disa institucione të shëndetshme të drejtësisë, duke e devijuar problemin nga thelbi i vet.

Thelbi i problemit është që Reforma në Drejtësi ka dështuar. Që të bësh betejë me një sëmundje që ia ke shkaktuar vetes, në fillim duhet ta pranosh atë. Edi Rama sillet sikur Reforma në Drejtësi është në rregull, por e prish kjo puna e pagave që kërkojnë gjyqtarët dhe prokurorët. Në fakt, ata janë të vetmit njerëz në Shqipëri që nuk e dinë sa e kanë pagën dhe jam pak i çuditur që bëjnë sikur e llogarisin.

Superpushteti që ka marrë prokuroria dhe Gjykata Speciale nga Reforma e dështuar në Drejtësi, nuk u ka dhënë qytetarëve shqiptarë drejtësi, por ka rritur çmimin e saj. Rastet janë përditë para syve tanë: mijëra dosje të pagjykuara, një drejtësi që të vjen me një dekadë vonesë, një arrogancë e frikshme e prokurorisë që ka kthyer paraburgimet në bankomate korrupsioni dhe një çmim i shumëfishuar i korrupsionit në sistemin e drejtësisë.

Ajo që bëhej me pak lek tani bëhet me shumë herë më shtrenjtë.

Dhe sikur të mos mjaftonte fryma repressive e SPAK-ut, tani jemi përballë një modeli të shëmtuar ku çdo prokuror rrethi ndjehet si prokuror i SPAK-ut dhe imiton të njëjtën frymë represioni.

Shikoni skandalin e mbetjeve në Portin e Durrësit nga kompania “Kurum”. Në histori të tilla krimineli ka emër. Emri i kriminelit është kompania prodhuese e mbetjeve toksike, e cila falsifikon përbërjen e mallit dhe nuk i deklaron mbetjet, si dhe kompania transportuese e saj që bën sikur nuk e di.

Pastaj piramida e përgjegjësisë shkon te porti dhe doganat dhe natyrisht te Agjensia e Mjedisit, nëse ato deklarohen mbetje. Por në momentin që ato nuk deklarohen mbetje, atëherë krimi bëhet më i rëndë për “Kurum”-in dhe transportuesin e tyre.

Po çfarë ndodh?

Kriminelët direkt të kësaj maskarade lajmërohen dhe arratisen në Turqi, ndërsa pesë djem e vajza të reja nga Agjencia e Mjedisit, dhe disa inspektorë dogane që u ka goditur turni, që besoj nuk e dinë fare çfarë është kjo histori, arrestohen me burg.

Arrestimi i 35 vetëve, nga të cilët shumica nëpunës të vegjël pa asnjë peshë dhe përgjegjësi, është më shumë një skemë korrupsioni sesa një “betejë heroike” kundër korrupsionit. Aty më shumë se korrupsion ka një krim të vetëdijshëm, përgjegjës për të cilin janë ata që prokuroria i ka lënë të ikin dhe pastaj i shpall në kërkim.

Pjesa tjetër është spektakël, që po ta llogarisësh me tarifat qarkulluese shkon mbi 2 milionë euro bakshishe sa të dalin.

E mora këtë si shembull të freskët represioni për të treguar se brenda dy ditësh kemi arrestime djemsh e vajzash të reja nëpunës shteti dhe lirim nga burgu, fjala vjen, të dikujt që akuzohet për tentativë vrasjeje.

Të gjitha këto detaje tregojnë se represioni është thjesht një mjet për të dëshmuar pushtet absolut dhe për të siguruar paprekshmërinë nga parlamenti dhe institucionet e kontrollit mbi drejtësinë, dhe jo drejtësi.

Edi Rama nuk ka nevojë të bëjë polemika me gjyqtarë e prokurorë. Ato mund t’i bëj unë apo ndonjë koleg imi si opinionist nëpër gazeta apo ekrane.

Edi Ramën nuk e kemi votuar si editorialistin më të mirë të vendit, por si kryeministrin më të mirë. Ai duhet t’i dalë zot asaj që ka bërë.

Nëse ka guxim politik dhe nëse ndjen përgjegjësi se Reforma në Drejtësi ka dështuar, duhet ta pranojë atë dhe të marrë të gjitha përgjegjësitë dhe pasojat për ta korrigjuar. Nëse mendon se Reforma në Drejtësi është mirë, se qytetarët po marrin më shumë drejtësi, se vendi po shkon drejt standardeve evropiane të drejtësisë siç patëm ëndërruar kur mbështetëm Reformën në Drejtësi, atëherë të rrijë i qetë, se puna e rrogave nuk është problem. Hallall t’i kenë.

Puna është që shumë prej tyre nuk meritojnë statusin e gjyqtarit dhe prokurorit, pasi po sillen thjesht si një bandë e pavarur gjobvënësish, inatçorësh dhe injorantësh në sistemin e drejtësisë.

Dhe kjo nuk zgjidhet më me polemika dhe debate të kota publike. Le ta fillojë korrigjimin e sistemit me Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë, i cili është institucion brenda sistemit që mund t’u mbrojë qytetarët nga drejtësia e keqe, dhe nëse nuk funksionon, të vazhdojë me ndryshime ligjore që lehtësojnë qytetarët dhe u japin atyre mundësi të marrin drejtësi.

Aq lek sa duan ata për rrogë në një vit, i marrin në një javë si ryshfete me këtë superpushtet dhe mungesë dhënie llogarie që u ka dhënë politika. Një pushtet i pavarur kur është edhe i pakontrolluar, nuk ka arsye të respektojë ligjin. Madje as ta lexojë atë. Ai ka bibël interesat e veta dhe pushtetin e vet të pakufizuar që i keni dhënë.

Ata meritojnë të jenë të pavarur, por jo për të varur çdo njeri që ka punë me drejtësinë.

Kryeministri Edi Rama dhe shumica në pushtet janë përgjegjëse për dështimin e Reformës në Drejtësi, e cila praktikisht është thjesht një operacion special propagandistik që justifikon rrogën e ambasadorëve perëndimorë në Shqipëri, por jo nevojën e qytetarëve shqiptarë për drejtësi.

Shumëkush thotë se çmimi për të shpëtuar nga kjo reformë në drejtësi është konflikti me Bashkimin Europian. Nuk jam i sigurt për këtë, por nëse ky sistem drejtësie vazhdon me këtë papërgjegjësi, me këtë shkallë të lartë korrupsioni, me këtë butafori të arrestimeve paraprake për të zhvatur hallexhinj, atëherë nuk ka nevojë të prishemi me BE-në, se imazhi i Shqipërisë do të nxihet aq shumë si vend ku gjithë populli po shkon në burg, sa nuk na pranojnë as në unionet afrikane.

Dëmi që po u bëhet qytetarëve nga dështimi i Reformës në Drejtësi dhe dëmi që po i bëhet Shqipërisë nga ky spektakël arrestimesh është aq i madh dhe aq larg standardeve të drejtësisë evropiane, sa më shumë na largon kjo reformë nga BE-ja, sesa korrigjimi i saj. Në të dy rastet do mbetemi jashtë saj, me këtë gjendje të drejtësisë. Po të paktën të mbetemi jashtë me një drejtësi më të mirë.