Në aspektin juridik vendimi i Gjykatës Kushtetuese duke mos marr vendim pavarësisht zhurmës publike dhe pritshmërive të mëdha nga të gjithë palët politike e rikthehen çështjen aty ku ishte përpara se ajo të mbërrinte në Gjykatën Kushtetuese, zonja Balluku mbetet e pezulluar nga detyra sipas vendimit të GJKKO-së. Me fjalë të tjera, juridikisht nuk ka asnjë risi, politikisht, ka shumë konfuzion dhe shumë hapësirë për interpretime politike.
Kjo është problematike në një vend me demokraci të brishtë pasi Gjykata Kushtetuese kishte një rast sui generis në kontekstin shqiptar për të sqaruar ndarjen e pushteteve dhe për të vendosur kufijtë mes drejtësisë, legjislativit dhe ekzekutivit. Një vendim që do të përbënte një “casus” për studiuesit dhe studentët e së drejtës. Mirëpo, në vend që të ngrihej në nivelin që e dikton kushtetuta, ajo zgjodhi të mos shprehet në thelb.
Jo pa arsye Hans Kelsen e shihte gjykatën kushtetuese si “gardianin e Kushtetutës” por një gardian që hesht përballë konfliktit mes pushteteve e lë Kushtetutën pa mbrojtje. Heshtja këtu nuk është neutralitet, por shmangie nga përgjegjësia kushtetuese. Siç paralajmëronte Lon Fuller, ligji dështon jo vetëm kur është i padrejtë, por edhe kur nuk jep përgjigje aty ku konfliktet janë reale dhe të mprehta. Duke i shtyrë palët drejt Komisionit të Venecias, një organ këshillimor që sugjeron, por nuk detyron, Gjykata Kushtetuese nuk e zgjidhi problemin, por e eksportoi atë.
Rezultati është i parashikueshëm, secila palë politike do të gjejnë opinionin e Venecias atë pjesë që i përshtatet interesit të radhës dhe Gjykata kushtetuese humbi mundësinë që të vendos precedentin që do ti shërbente jo vetëm të tashmes por edhe të ardhmes.
Ky model sjellje duke mos sqaruar por zvarritur apo thelluar paqartësitë mes tre pushteteve nuk është i ri. Edhe në rastin Xhaçka dhe Berisha, Gjykata Kushtetuese shmangu vendimmarrjen e qartë, duke e lënë konfliktin të degradoj në hapësirën gri mes ligjit dhe politikës. Giovanni Sartori do ta quante këtë një iluzion neutraliteti pasi institucionet që shmangin vendimin nuk qëndrojnë jashtë politikës, por prodhojnë politikë përmes mosveprimit. Aq më shumë në një sistem të brishtë si ky i joni ku të tilla sjellje, nuk kontribuojnë në stabilitet përkundrazi, ushqejnë cinizmin publik dhe delegjitimon autoritetin kushtetues.
Në fund, pyetja që mbetet nuk është thjesht juridike, por thellësisht politike: a kemi një Gjykatë Kushtetuese që përmbush funksionin e saj si arbitër suprem i rendit kushtetues, apo një trup gjyqtarësh që, me vendime të kujdesshme deri në paralizë, reflektojnë ekuilibra, frikëra dhe pazare politike? Nëse përgjigjja anon nga kjo e dyta, atëherë precedenti më i rrezikshëm nuk është pezullimi i një ministri, por normalizimi i një drejtësie që flet vetëm kur nuk rrezikon asgjë./Nga Roland Lami

