Gjykata e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) ka dënuar me kërkesë të SPAK-ut me 6 vite e 6 muaj burg ish-deputetin Engjëll Cara, Limon Shala, Fatmir Thaçi, Florant Saraçi dhe Shkëlqim Hoxha për korrupsion zgjedhor. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, 5 të pandehurit kanë përfituar ulje dënimi dhe konvertimin në shërbim prove.
Hetimet e SPAK treguan se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata siguruan dhe ofruan bileta udhëtimi të parapaguara për persona të ndryshëm, të dokumentuara në 64 raste, me qëllim që të votonin në favor të kandidatit Shkëlqim Hoxha në zgjedhjet vendore të vitit 2023 në Bashkinë Rrogozhinë. Shkëlqim Hoxha ishte kandidat i Partisë Demokratike, e cila akuzon në vijimësi pushtetin për blerje dhe vjedhje votash.
Shkëlqim Hoxha ka lidhje të hershme me Partinë Demokratike, por edhe me Familjen Berisha, e cila ka kthyer PD-në pothuajse në një biznes familjar. Në vitin 2005, pasi PD-ja erdhi në pushtet, Shkëlqim Hoxha u emërua drejtori i Lojërave të Fatit në Ministrinë e Ekonomisë, fakt që e ka fshehur në biografinë e publikuar në faqen zyrtare të PD-së ku kandidoi për kryetar i Bashkisë Rrogozhinë.
Nuk është sekret që disa biznese të lojërave të fatit gjatë pushtetit të PD-së kishin lidhjen me Shkëlzen Berishën dhe shërbenin si hambarë me para për Shkëlzenin dhe Familjen Berisha. Madje edhe pas rënies së PD nga pushteti ish drejtorët e lojërave të fatit dhe klanet e kumarit pranë Shkëlzenit, kanë organizuar dhe financuar protestat e Lulzim Bashës dhe më pas të Sali Berishës me qëllim për të rrëzuar Edi Ramën nga pushteti.
Ish drejtorët e Berishës për kumarin kanë bërë miliona euro, duke i investuar në pasuri të paluajtshme, financuar PD-në dhe hedhur para në fushata elektorale siç edhe e konfirmon dosja e SPAK-ut. Ndërkaq, pas fuksionit si drejtor i Lojërave të Fatit, Shkëlqim Hoxha është emëruar drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Financave.
Hoxha financoi fushatën e tij në 2023 në Rrogozhinë, ndonëse i humbi zgjedhjet. Në zgjedhjet parlamanetare të 2025, vajza e Shkëlqim Hoxhës, Lorenca Hoxha kandidoi në listën e hapur të PD-së në Qarkun e Tiranës. Pas fushatës së saj qëndronte Shkëlqim Hoxha. Lorenca Hoxha mori mbi 6 mijë vota, duke rezultuar mes kandidateve më të votuara pas Jorida Tabakut.
Nioftimi i GJKKO
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Engjell Cara, Limon Shala, Fatmir Thaçi, Florant Saraçi dhe Shkëlqim Hoxha”.
Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Atalanta Zeqiraj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka, me vendimin nr. 10, datë 06.02.2026 vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Limon Shala, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, të parashikuar nga nenet 328, 25 dhe 50 germa “h” të Kodit Penal, dhe bazuar në këtë dispozitë dënimin e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim burgim.
Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3 për të pandehurin Limon Shala dhe dënimin e tij përfundimisht me 1 (një) vit burgim.
Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim, dhe vënien në provë të të pandehurit Limon Shala, për një afat prej 2 (dy) vjetësh, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbaj kontakte me Shërbimin e Provës.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Fatmir Thaçi për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, të parashikuar nga nenet 328, 25 dhe 50 germa “h” të Kodit Penal dhe bazuar në këtë dispozitë dënimin e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Fatmir Thaçi me 1 (një) vit burgim.
Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim, dhe vihet në provë i pandehuri Fatmir Thaçi për një afat prej 2 (dy) vjetësh, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbaj kontakte me Shërbimin e Provës.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Engjell Cara për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e kryer në bashkëpunim, më shumë se njëherë të parashikuar nga nenet 328, 25 dhe 50/h të Kodit Penal, dhe bazuar në këtë dispozitë dënimin e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me me 1/3, duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Engjell Cara me 1(një) vit burgim.
Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim, dhe vënia në provë e të pandehurit Engjell Cara për një afat prej 2 (dy) vjetësh, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbaj kontakte me Shërbimin e Provës.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Florant Saraçi për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e kryer në bashkëpunim, më shumë se njëherë të parashikuar nga nenet 328, 25 dhe 50/h të Kodit Penal, dhe bazuar në këtë dispozitë dënimin e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3, duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Florant Saraçi me 1(një) vit burgim.
Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim, dhe vënien në provë të të pandehurit Florant Saraçi për një afat prej 2 (dy) vjetësh, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbaj kontakte me Shërbimin e Provës.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Shkëlqim Hoxha për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, të parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal dhe bazuar në këtë dispozitë dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Shkëlqim Hoxha, me 4 (katër) muaj burgim.
Bazuar në nenin 63 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurin Shkëlqim Hoxha dhe zëvendësimin e tij me detyrimin për të përmbushur një punë në interes publik.
I pandehuri Shkëlqim Hoxha, urdhërohet të kryejë 60 (gjashtëdhjetë) orë punë në interes publik, brenda një afati 6 (gjashtë) muaj.
Urdhërohet i pandehuri Shkëlqim Hoxha të mbaj kontakte me Shërbimin e Provës.
Kthimin e aparateve celularë të sekuestruar shtetasve L. Shala, F.Thaci, dhe E.Cara.
Shpenzimet proceduriale të kryera gjatë fazës së hetimit dhe gjykimit, ju ngarkohen solidarisht të pandehurve.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

