Besiktas nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë për Ernest Muçin, pavarësisht se ky i fundit është shprehur i lumtur për periudhën që po kalon tek Trabzonspori, klub në të cilin është i huazuar nga “Shqiponjat” e Stambollit.
Gazetari Yunus Emre Sel ka bërë të ditur se drejtuesit e klubit kanë kthyer mbrapsht ofertën e bërë nga klubi i Trabzonit prej 5 milionë eurosh. Shifër kjo që s’ia mbush syrin zotëruesve të kartonit të cilët e kanë çuar vlerën fikse të lojtarit në 12 milionë euro.
Priten hapat pasardhës që do të ndiqen nga të treja palët, për të mësuar nëse Muçi do të kthehet në Staboll, do të qëndrojë aty ku është apo do nis kërkimet për një tjetër destinacion gjatë verës.
Kujtojmë se sulmuesi i Kombëtares ndëshkoi pikërisht ish-ekipin e tij në duelin direkt, duke shënuar dhe golin e fitores për rezultatin 2-1, në takimin e vlefshëm për javën e 33-të të Superligës turke.

