Kryeministri Edi Rama është shprehur se paraburgimi pa kriter në Shqipëri është një plagë që duhet të marrë fund.
Komentet Rama i bëri në podkastin e tij ‘Flasim’, ku tha se qeveria është e vendosur të ndërhyjë për ta ndryshuar këtë situatë dhe për këtë sipas tij, po punohet edhe me partnerët europianë.
Po ashtu Rama foli edhe për amnistinë penale, teksa tha se do të lirohen menjëherë 447 persona nga burgjet dhe do të ketë ulje dënimi për qindra të tjerë.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Një tjetër vendim që besoj ia vlen të nënvizohet është miratimi i projektligjit për amnistinë penale. Një akt me ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e sistemit tonë të drejtësisë penale, por dhe në frymën e kësaj drejtësie.
Dhe ky projekt përfshin lirimin e menjëhershëm të 447 personave nga institucionet e vuajtjes së dënimit, ulje dënimi për qindra persona të tjerë, aministimin nga masat alternative të shërbimit të proves, si dhe pushimin e ndjekjes penale për vepra penale të lehta.
Është një vendim që përfaqëson përsëri e përsëri një zgjedhje të qartë politike. Ta orientojmë drejtësinë drejt veprave që paraqesin rrezik real për shoqërinë dhe të shmangim përdorimin disproporcional të forcës represive të shtetit, përmes ndëshkimit penal për raste që nuk e justifikojnë përdorimin e forcës.
Kjo natyrisht do të sjellë pastaj efekt të vetin anësor, por shumë të rëndësishëm edhe uljen e mbipopullimit në burgje, uljen e kostove, por edhe rritjen e investimeve për të rritur cilësinë e jetës në institucionet tona penitenciare.
Ligji është i qartë. Ka kufij të mirëpërcaktuar. Nuk përfshin asnjë vepër të rëndë penale, krime kundër jetës, dhunës, korrupsioni, krimi i organizuar janë të përjashtuara nga amnistia.
Dhe në ndërkohë është një hap konkret që do të pasohet nga të tjerë në raport me idenë totalisht të keqshfrytëzuar dhe të keqpërdorur të paraburgimit
Paraburgimi është një plagë në Shqipëri. Një plagë e evidentuar më së miri dhe më së qarti nga Komiteti për parandalimin e torturës i Këshillit të Europës. Një plagë me të cilën përballet çdo ditë shoqëria dhe ne jemi të vendosur që do të ndërhyjmë për ta shëruar këtë plagë me masa të tjera me atë që e kam quajtur reflektim i madh dhe për të cilin po punojmë me një sërë partneresh shumë të rëndësishëm europian për të bërë ndërhyrjet e duhura dhe pa humbur shumë kohë.

