HomeAktualitet

Sot nis muaji i shenjtë i Ramazanit, simboli i sakrificës dhe pastrimit shpirtëror

Sot nis muaji i shenjtë i Ramazanit, simboli i sakrificës dhe pastrimit shpirtëror

Sot nis muaji i shenjtë i Ramazani, një nga periudhat më të rëndësishme për besimtarët myslimanë në mbarë botën.

Muaji i nëntë i kalendarit islamik hënor shënon kohën e agjërimit, reflektimit shpirtëror dhe përkushtimit ndaj besimit.

Agjërimi përfaqëson një nga pesë shtyllat e islamit, dhe sipas fesë, konsiderohet obligim për të gjithë të rriturit që nuk kanë probleme shëndetësore. Nga agimi deri në perëndim nuk konsumohet asnjë ushqim dhe shmangen marrëdhëniet intime.

Muaji i Ramazanit konsiderohet sipas fesë islame, muaji i durimit, i vetëkontrollit dhe lutjes, një ftesë drejt njohjes së përgjegjësive në raport me Zotin, me veten, familjen dhe shoqërinë.

Ramazani përkujton zbritjen e parë të Kuranit nga profeti Muhamed. Brenda këtij muaji është dhe nata e Kadrit, që konsiderohet nata më e vlefshme e vitit. Muaji mbyllet me Fitër Bajramin.

Autoritetet fetare u kanë bërë thirrje besimtarëve që këtë muaj ta kalojnë me paqe, solidaritet dhe përkushtim, duke theksuar rëndësinë e vlerave shpirtërore dhe njerëzore që përcjell kjo periudhë e veçantë.