Aktori i njohur nga Zelanda e Re, Sam Neill, i cili ndërroi jetë të hënën në një spital në Sydney, vdiq si pasojë e pneumonisë, ka konfirmuar agjenti i tij.
I njohur më së shumti për rolet e tij në Jurassic Park dhe Peaky Blinders, familja e aktorit 78-vjeçar e përshkroi vdekjen e tij në fillim të kësaj jave si “të papritur për të gjithë”.
Agjenti i tij prej shumë vitesh, Philip Grenz, publikoi të enjten një deklaratë mbi shkakun e vdekjes, pasi foli me familjen e aktorit dhe për shkak të asaj që ai i quajti “informacione të pasakta dhe krejtësisht të rreme” të publikuara në media.
Në prill të këtij viti, Neill kishte bërë të ditur se ishte në remision pasi ishte diagnostikuar vite më parë me Limfoma Non-Hodgkin (NHL), një lloj kanceri të gjakut. Familja e tij tha se ai “ishte pa shenja të kancerit” në momentin e vdekjes.
“Si përfaqësuesi afatgjatë i Sam Neill, kam folur me familjen e tij dhe dëshiroj të sqaroj disa detaje për fansat e tij”, tha Grenz.
“Sam ndërroi jetë nga pneumonia. Para se të sëmurej, ai kishte luftuar me guxim dhe kishte mposhtur limfomën falë një trajtimi të ri të quajtur terapia CAR-T.”
Grenz shtoi se gjatë vitit të kaluar Neill kishte “xhiruar katër projekte njëri pas tjetrit, të cilat do të publikohen në muajt në vijim”.
Neill, i cili lindi në Irlandën e Veriut dhe u rrit në Zelandën e Re, ishte “një njeri jashtëzakonisht privat që nuk e pëlqente bujën”, tha Grenz.
Ai shtoi se familja e Neill “do ta nderojë atë me një ceremoni private përkujtimore në fermën e tij në Zelandën e Re, në një datë që do të përcaktohet më vonë”.
“Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që ishin vërtet të afërt me Sam për respektimin e privatësisë së tij dhe të familjes së tij në këtë periudhë jashtëzakonisht të vështirë”, tha Grenz.
Lajmi për vdekjen e Neill solli reagime të shumta nga aktorë, politikanë dhe fansa. Bashkëaktorja e tij në Jurassic Park, Laura Dern, e quajti atë “mikun tim të dashur të një jete”.
Aktorja australiane Toni Collette e përshkroi si “hero”, “legjendë” dhe “njeri me zemër të madhe”, ndërsa kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon, tha se ai ishte “njëri prej më të mëdhenjve”.
Neill interpretoi rolin e Dr. Alan Grant në Jurassic Park dhe u shfaq gjithashtu në filma si The Piano, The Hunt for Red October, Dead Calm dhe Event Horizon, si edhe në serialin televiziv të BBC-së Peaky Blinders.
Gjatë një karriere që zgjati më shumë se pesë dekada, Neill grumbulloi mbi 150 role në film dhe televizion.
Paraqitja e tij e fundit në film ishte në The Fox (2025), ndërsa paraqitja e tij e fundit televizive ishte në serialin e Netflix Untamed (2025). Gjithashtu, thuhet se ai pritet të shfaqet pas vdekjes në filmat Godzilla x Kong: Supernova dhe The Last Resort, të planifikuar për vitin 2027.
Në autobiografinë e tij të vitit 2023, Did I Ever Tell You This?, ai zbuloi detaje mbi diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit.
“Nuk kam frikë të vdes,” i tha ai BBC-së në atë kohë. “Ajo që nuk dua të bëj është të ndaloj së jetuari, sepse më pëlqen shumë të jetoj.” Ai shtoi: “E kam konsideruar si një aventurë, një aventurë mjaft të errët, por megjithatë një aventurë”. Neill la pas katër fëmijët e tij dhe tetë nipër e mbesa.

